Artur Ajazi

Ka mbi 1 javë që ekranet dhe faqet e gazetave mbushen me “lajme, analiza dhe diskutime” banale, mbi rastin që nuk ka lidhje fare me ne , me procesin “McGonigal”. Më qesharake, duket debati apo “analiza” kur merren “me të dashurën e McGonigal”. Një kompetent thotë “kështu deklaroi e dashura e tij”, një tjetër “analiste”, gjoja nxjerr detaje nga email-et e saj mbi “marrëdhëniet me Edi Ramën dhe ministrat”. Me turp nuk ka. Më qesharakë dhe qesharake, nuk më janë dukur kurrë mercenarët e një pjese të mirë të mediave, që po degradojnë dhe manipulojnë opinionin prej vitesh. Dhe kjo natyrisht ka ardhur si pasojë e degradimit të një pjese mesjetare të politikës, që ka mbetur ende edhe sot pas 32 vitesh, në kufinjtë e imagjinatës, kurtheve, folklorizmave, dhe skenareve për dhunë dhe baltosje.

Sa turp, tek dëgjon se si çdo natë (dhe gjithë ditën e Zotit) kapardisen majë poltroneve “specialistët e lajmeve bombastike”. Se si dalin dhe fabrikojnë “detaje nga çështja McGonigal”, parashikojnë se “si do të shkojë procesi hetimor ndaj tij, madje edhe ndaj kryeministrit Rama”, sa vjet do të dënohet ai në SHBA, etj, etj, etj. Dhe idiotësia nuk ka fund, tek shikon dhe dëgjon fjalimet e “non-gratave” të PD, tek merren me “gozhdën” e McGonigal, kur kanë mbi 1001 halle për vehte në Shqipëri.

Sa turp, tek dëgjoj të flasin mbi “problemin e madh të ish-agjentit të FBI” analistët e ish-SHQUP-it, dhe nuk kujtohen njëherë për hallet e atyre që marrin bukën me vehte dhe vijnë çdo 2 javë në “protestat madhështore”.

Sa turp, tek dëgjon Sali Berishën dhe sejmenët e tij, tek flasin për “skandalin e ish-agjentit të FBI” dhe nuk flasin për Gërdecin që futi në dhe, 26 viktima të pafajshme, për 21 Janarin, për shitjen e pronave dhe pasurimin me miliona euro të ish-pushtetarëve të selisë blu.

Sa turp, tek dëgjoj se si premtojnë “ndëshkimin e korrupsionit” Berisha apo dhe mëkatarët e rragut të dytë në atë parti, dhe nuk u japin llogari shqiptarëve për pasurimin, vjedhjet, zhvatjet, dhe lloj-lloj poshtërsish që u bënë në Shqipëri nga 2005 deri 2013. Pse nuk u flasin, mbi degradimin dhe inkriminimin e organeve të drejtësisë, pasojat e të cilës po vuajmë edhe sot.

Sa turp, kur dëgjoj vajza dhe djem të rinj, të saponisur në karierën e gazetarit, tek merren me “dashnoren e McGonigal-it” qysh në orët e para të mëngjesit, dhe flasin aq seriozisht sa harrojnë se janë para kamerave. Degradimi i një pjese të medias (ashtu siç janë degraduar segmente të tjera të shoqërisë) mbetet alarmante, për atë ç’ka përçojnë përmes ekraneve dhe faqeve të gazetave, duke ndikuar negativisht për stabilitetin e rendit kushtetues dhe nxitjen e urrejtjes mes shqiptarëve.

Sa turp, tek konstatoj nivel mjeran, tek një pjesë e mediave që kanë marrë mbi vehte misionin e manipulimit dhe jo pasqyrimit korrekt, të realitetit në Shqipëri.