48 orë ishte afati i vendosur nga Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për Partinë Demokratike që Lulzim Basha të firmoste si kryetar partia deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor për tu regjistruar në zgjedhje, afati i cili skadon sot! Duke pasur parasysh deklaratat e fundit të përfaqësuesve më të lartë të Partisë Demokratike si kryetari në detyrë Enkelejd Alibeaj apo Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi partia më e madhe opozitare në vend rrezikon seriozisht regjistrimin për 14 Majin, të paktën nga ana e Celibashit dhe çështja mund të përfundojë për t’u zgjidhur në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ, nëse Komisioneri do t’i qëndrojë deklaratës së nuk e kalon pa plotësim dokumentesh.
Për Partinë Demokratike Lulzim Basha ka ikur dhe ai nuk rikthehet. Më shumë se 150 minuta zgjati mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar të PD dhe në fund të saj ishte Alibeaj i cili në një dalje për mediat, Alibeaj tha se do të vijonte me procedurat e mëtejshme për regjistrimin e PD-së në zgjedhje dhe se do të dorëzohej sqarimi përkatës për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, bashkë me ankimin. Ai theksoi se Basha është i dorëhequr dhe se të gjitha dokumentet e dorëzuara nga Partia Demokratike janë në përputhje me legjislacionin.
“E kemi bërë të qartë dje. Dorëheqja e Bashës është fakt publik s’ka ngelur njeri i madh apo i vogël që s’është në dijeni. Sqarimin përkatës ne do ta dërgojmë pranë KQZ, kështu që nuk ka asgjë për t’u diskutuar apo të paqartë. Kjo është një çështje e zgjidhur”, tha Alibeaj.
Ndërkohë që edhe Gazmend Bardhi e bëri të qartë një ditë para se dokumentacioni është i plotë dhe nuk do të ketë asnjë plotësim.
“PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë”, tha Bardhi.
Në mbledhjen e zhvilluar në 9 mars, gjatë shqyrtimit të kërkesave të grupimit të Berishës dhe të Alibeajt për t’u regjistruar në zgjedhje, KQZ vendosi të mos i pranojë të dyja. Kërkesa e Rithemelimit nuk u pranua për shkak se Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Berisha. Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe që duhet firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë.
Deklarata që duhet të plotësojë Basha
Deklarata njihet si një ‘përgjegjësi’ e kryetarit të Partisë dhe si e tillë duhet plotësuar vetëm nga ai. Deklarata parashikohet në nenin 64 të Kodit Zgjedhor ku radhitet dokumentacioni që duhet të paraqitet për regjistrimin e një partie politike. Dokumenti sipas Celibashit duhet të firmoset vetëm nga kryetari i Partisë dhe është përgjegjësi që nuk mund të delegohet. Ne pikën e të këtij neni thuhet se: deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet nga KQZ-ja.