Java që sapo ka hyrë do sjellë mot me një “kthesë” të fortë nga ditët e fundit, ndikuar nga kalimi i një fronti të ftohtë atmosferik me masa ajrore me origjinë polare.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se pritet një rënie drastike e temperaturave në fillim të javës si në vlerat minimale ashtu dhe ato maksimale.

Megjithatë duke filluar gradualisht nga mesjava dhe kryesisht ditët e fundit të javës (e Enjte dhe e Premte) temperaturat rikthehen përsëri në vlerat e zakonshme të pranverës.

Në këtë mënyrë për ditën e Hënë moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të herëpashershme me intensitet mesatar në formën e shtrëngatave. Përgjatë ultësirës perëndimore reshjet hera-herës dhe në periudha afatshkurtra në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me breshër dhe shkarkesa elektrike. Në relievet malore mbi 1000 metër reshje dëbore.

Paqëndrueshmëria vijon edhe ditën e Martë ndërsa moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura por edhe intervale me kthjellime. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe të dobta lokale.

Më pas për ditët e mbetura pritet përmirësimi gradual i kushteve atmosferike. Moti parashikohet kryesisht me kthjellime por nuk do të mungojnë edhe alternimet e vranësirave të cilat hera-herës do të jenë deri të dendura.