Nga selia rozë, në një intervistë televizive, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se fushata për Tiranën do jetë një fushatë pozitive në bazë të ideve dhe risive dhe jo të sharjeve e çjerrjeve.
“Ne nuk jemi në këtë fushatë sepse kemi inat një nga kandidatët, ose një nga forcat. Jemi në këtë fushatë sepse e kemi pasion këtë punë që bëjmë, menaxhimin e këtij qyteti apo të 5 bashkive që sot janë duke kaluar ditët e tyre më të mira. Nuk ka qenë kurrë vlera e pronës, në secilën prej këtyre 5 bashkive, në nivelin që është sot. E mira nuk ka fund dhe patjetër që duam t’i çojmë gjërat më lart. Por kam përshtypjen që një fushatë inteligjente është fushata që nuk merret me të tjerët, por që merret me idetë. Nuk jam këtu të komentoj njerëzit apo kandidatët e forcave të tjera, por jam këtu të komentoj idetë, sepse janë ato që na kanë sjellë fitore dhe rezultat. Ndaj mezi pres që kjo të jetë një fushatë e ideve, një fushatë pozitive dhe jo një fushatë çjerrjesh dhe sharjesh. Eshtë një frymë që ka dalë nga moda dhe një frymë që nuk ka sjellë fitore e rezultat”, tha Veliaj.