Në ditën e tretë të gjykimit, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka nisur deklaratën e saj hyrëse.

Alagendra tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që e lidhin klientin e saj me krimet e pretenduara.

“Provat e prokurorisë do të tregojnë rolin e vërtetë të Krasniqit. Ai nuk kishte kompetenca dhe përgjegjësi që kërkon t’i ngarkojë ZPS-ja dhe as aktivitetet e tij nuk mund të lidhen me asnjë krim që pretendohen nga prokuroria”, tha ajo.

Avokatja tha se Krasniqi ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së në qershor të vitit 1998 dhe të gjithë aktivitetin e tij e ka pasur publik.

“Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacionale”, tha ajo.

Alagendra tha se Krasniqi ishte emëruar një prej dy zëvendëskomandantëve të UÇK-së për një periudhë të shkurtër kohore, por ai kishte qenë zëvendëskomandant për mbështetje dhe nuk kishte të bënte me çështje operacionale.

Sa i përket disa dokumenteve që ZPS-ja ka gjetur në shtëpinë e Krasniqit, pas arrestimit të tij, mbrojtja tha se ZPS-ja duhet të vërtetojë autorësinë e tyre.

“Gjetja e këtyre dokumenteve në shtëpinë e tij nuk i bën autentike”, tha Alagendra.

Alagendra tha gjithashtu se prokuroria e ka keqinterpretuar rolin e Krasniqit në UÇK dhe gjithë organizimin e kësaj ushtrie.

“Ai nuk ka qenë në një marrëdhënie hierarkike me autorët fizikë të krimeve. Ai nuk kishte aftësi për të kontrolluar në mënyrë efektive ndonjë ushtar”, tha Alagendra.

Sipas saj, prokuroria ka dështuar ta bëjë lidhjen e krimeve të pretenduara me vendndodhjen fizike të Krasniqit nëpër periudha të ndryshme kohore gjatë vitit 1999.

Alagendra deklaroi se “prokuroria duket sikur është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së”.

“Provat do të tregojnë se organizimi i UÇK-së ishte i ndryshëm në vende të ndryshme dhe kohë të ndryshme”, tha ajo dhe shtoi se UÇK-ja asnjëherë nuk ka pasur një hierarki vertikale të komandës.