Nga Alba Malltezi

Për të provuar forcën e ligësisë, të shantazhit, të hakmarrjes primitive, të linçimit publik të stilit Sali Berisha dhe klanit të tij ndaj kujtdo që në Shqipëri ka guxuar dhe guxon të mendojë ndryshe nga ai, mjafton të shohim dy shembuj: I pari dhe më i freskëti, është një lajm i shfaqur në median-armë të Sali Berishës, të financuar nga njerëz të tij të afërm, dhe bujtëse në godinën pronë të aleatëve të tij politikë (të majtë).

Nuk i shpëtoi baltës alla Berisha edhe vëllai i ish krahut të tij të djathtë, Bashkim Gazidedes, Naim Gazidede, vetëm se ky i fundit duket se nuk do të tërhiqet në kandidimin e tij nën siglën e PD-së për vendoret në Bashkinë e Dibrës. Sot, media e Sali Berishës e cilëson Naim Gazideden si një të marrë peng nga rivalët e tij socialistë dhe nga njerëz të Edi Ramës. Gjithashtu i kujtojnë se ai ka harruar se çfarë i bënë atij dhe vëllait të tij Bashkim (që sot nuk jeton), socialistët.

Atëherë, për të gjithë ata që e njohin stilin e paburrni të Berishës dhe të gjithë atyre që kanë stomakun e fortë dhe moralin e qullët t’i qëndrojnë akoma afër, publikimi i një artikulli në mediat e tij (ashtu siç ka bërë përherë në mediat që ka përdorur në vite duke nisur që nga RD) kundër Naim Gazidedes, do të thotë që banda e tij nuk ka mundur të gjejë asgjë kundër Naimit që do të mund ta kompromentonte në heshtje dhe ta detyronte të tërhiqej vetëm me një telefonatë, apo me një kërcënim.

Meqë ata nuk kanë pasur asnjë “dosje” djegëse apo të fshehtë, kërcënuese apo shantazhuese që ta bëjnë të tërhiqet nën zë, nisin linçimin publik. Këtë stil e ka bërë kurdoherë dhe me këdo. Shumicën ka preferuar ta shantazhojë në heshtje: ministra të tij, prokurorë, gjyqtarë, politikanë etj. etj. Ndërsa linçimin publik me media e rezervon për kë nuk arrin ta shantazhojë. Atëherë balta mediatike e gatuar nga qehajajtë e tij, të ngjashëm me të në amoral e korrupsion etik, futet në veprim. Shembulli i Naim Gazidedes është më i freskëti.

Shembulli tjetër, matës i egërsisë së klanit Berisha, është linçimi publik i ambasadores së Shtetit më të fortë në Botë. Mjafton të rendisim sulmet publike ndaj Yuri Kim, për të kuptuar se në ç’skaje mund të arrijë linçimi për cilindo shqiptar që nuk është në rreshtat erëkëqija të moralit të tij. Por kohët po ndryshojnë dhe shqiptarët që dinë t’i thonë “jo” një nongrata planetar, po shtohen përherë e më shumë.