Nga Roland Qafoku

Me 3 orë, 46 minuta e 38 sekonda show në stadiumin “Air Albania”. Me një pjesëmarrje të kënaqshme, por që me kalimin e kohës u bë shkak për debat nëse kishte braktisje, ose jo nga pjesëmarrësit. Me një prezantim “alla amerikan” të 61 kandidatëve që parakalonin në fushë kur u përmendej emri dhe më pas stacionoheshin në një podium të veçantë. Me një këngë të rrymës hard rock nga Renis Gjoka dhe Eugent Bushpepa si një kolonë zanore e fushatës. Nën sharmin e Floriana Garos e veshur tërësisht yelloë në unison me ngjyrën e parë të pranverës. Me një dokumentar të shkurtër nga historiku i PD në të cilin binte në sy fshirja e periudhës kur Lulzim Basha ishte kryetar, të cilën e drejtoi për 9 vjet, 4 muaj e 2 ditë. Me një regji qendrore që ndonëse kishte luksin teknologjik me disa kamera dhe dy krane gjigandë, sforcohej shpesh për të kapur planet më të mirat të asaj që ndodhte aty. Me fjalimin e Sali Berishës që zgjati 31 minuta e 45 sekonda, të Ilir Metës 11 minuta e 11 sekonda, me fjalimin e Belind Këlliçit prej 14 minutash e 48 sekonda, të Bardh Spahisë prej 5 minuta e 42 sekonda, Luçiano Boçit prej 7 minuta e 14 sekonda, të Igli Carës prej 7 minuta e 31 sekonda dhe disa kandidatëve të tjerë që e lodhën shumë publikun me fjalime pa ndonjë vlerë. Nën sloganin “Ndryshimi në duart e tua” dhe me sfond “Bashkë Fitojmë”, PD dhe PL hapën fushatën mesditën e të shtunës, nga e cila kuptuam pak a shumë se çdo ndodhë në 29 ditët në vazhdim, por kuptojmë gjithashtu se edhe çdo ndodhë ditën e votimit më 14 maj.

SI U FSHINË 9 VJET, 4 MUAJ E 2 DITË TË LULZIM BASHËS

Ajo e të shtunës tregoi se në Shqipëri historia fshihet aq lehtë në mënyrë të frikshme. Edhe hapja e fushatës së PD-së së Rithemelimit nuk shpëtoi nga zhdukja e asaj pjesë të historisë nga 23 korriku i vitit 2013 deri më 21 mars 2022 nën drejtimine Lulzim Bashës. Ngjan si një rregull i pashkruar që ka ndodhur në këto 112 vjet të shtetit shqptar. Ardhja e Ahmet Zogut në pushtet solli fshirjen dhe zhdukjen e sarajeve të familjes Vlora që nxori korifejtë e themelimit të shtetit shqiptar por edhe vendi ku u ngrit flamuri i pavarësisë nga Ismail Vlora. Ardhja e Enver Hoxhës në pushtet solli fshirjen totale të periudhës së Zogut. Çdo gjë vlerësohej e zezë, nuk dihej as historia as letërsia, e as gjë dhe çdo punë quhej për herë të parë. Aq paranojake u bë kjo saqë edhe grupet armiqësore nga radhët e veta që zbulonte Enver Hoxha u shoqëruan me fshirjen e historisë. Kështu, ministra e deri te kryeministri armik iu hiqeshin fotografitë, pamjet filmike e deri emrat nëpër libra pavarësisht se kishin qënë pjesë e historisë së vetë atij regjimi. Kulmi ishte pas vdekjes së Mehmet Shehut. Me vendim të veçantë kryeministri që qendroi në detyrë 27 vjet, 4 muaj e 28 ditë në detyrë iu hoqën të gjitha fotografitë, filmimet dhe emrat në çdo tekst shkollor dhe zyrtar. Por historia u fshirjes së historisë u përsërit të shtunën në stadium Air Albania. Në hyrje të hapjes së fushatës u shfaq një dokumentar me historikun e PD.

Pikëvështrimi ishte kronologjik që nga themelimi më 12 dhjetor 1990, ardhja në pushtet në 1992, largimi dhe trazirat e vtit 1997, riardhja në pushtet në vitin 2005, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ndërtimi i Rrugës së Kombit, vizita e presidentit amerikan George W. Bush e deri te një sinkroni i famshëm i Berishës kur u zyrtarizua anëtarësimi ynë në NATO “This is a miracle of freedom”. Sapo erdhi momenti i dorëheqjes së Sali Berishës në 2013 si kryetar i PD dhe marrja e drejtimit të PD nga Lulzim Basha, gjithçka nuk ekzistonte. Ato 9 vjet, 4 muaj e 2 ditë u sqaruan vetëm me frazën “PD-së iu vodh vula” dhe për këtë arsye, sipas skenaristit, u ndërmor aksioni i rithemelimi. Kjo është në kufijtë e një skandali. Nuk besoj se është një lajthitje, e as një harresë. Por një skandal politik brenda PD. Unë vazhdoj të konkudoj se autori i ndarjes dhe përçarjes së PD është Lulzm Basha dhe periudha që ai drejtoi PD-në është më e zeza dhe më e turpshmja. Por që të periudha e drejtimit nga ana e tij e PD të fshihet dhe të mos ketë ansjë vend një historik, është një autgol dhe një dëm akoma më i madh se ajo që i bëri PD. Si mund ta hedhësh poshtë me një të rënë të lapsit historinë e një partie opozitare, që edhe me gabimet dhe fajet që ka bërë e ka dëmtuar Shqipërinë politike? Për më tepër që në këto 9 vjet Lulzim Basha ka patur mbështetjen e plotë të Sali Berishës. Kjo fshireje lë një shije të hidhur, si ajo që bëri edhe Basha që fshiu dhe largoi na historia shumë e shumë figura të PD duke përjashtuar shumë e shumë vlera. Me të njëjtin stil u bë edhe të shtunën me Bashën dhe bashkëpunëtorët e vet. Më e ndershmja dhe më e mira do ishte pasqyrimi i të vërtetës në të cilën skenaristët duhet ta trajtonin me realizëm, pse jo edhe me një lloj ndjese për mbështetjen që Berisha i kishte dhënë Bashës. Por fshirja është më e keqe se sa fajet dhe gabimet. Është një stil i vjetër që nuk i shërben as bashkimit e pajtimit të madh, por as frymës që sjell fitore.

AIR ALBANIA SELIA E MADHE E PD

Me atë që ndodhi në 3 orë, 46 minuat e 38 sekonda në Air Albania nuk është zhvilluar asnjë ndeshje. Por PD arrit ta mbajë në këtë kohë gjithçka që nga ora 12.00 e të shtunës. Dy krane gjiogandë, një regji qendroree, një podium rrethor dhe një entuziasëm i pranueshëm bënë që fushatë e PD të cilësohej e hapur. Ndoshta ideatorët e organizimit e kanë zgjedhur stadiumin në mënyrë simbolike sepse aty u organizua edhe kuvendi që përmbysi pushtetin e Lulzim Bashës në këtë aprti. Organizatorët vazhdojnë të këmbëngulin me kolona të vjetra zanore të dala boje. Freddie Mercury ka 32 vjet që ka vdekur, por muzika e tij edhe pardje mbizotëronte me “We are the champions” sa herë që kandidatët shfaqeshin. Kënga e fushtës kishte avantazhin që nuk ishte tallava por ndonjë gjë e jashtëzakonshme nuk ishte. Fakti që je demokrat nuk do të thotë që mund të qëllosh në shenjë me kolonë zanore. Pak mbetej në mendje muzika e saj dhe është e destinuar që shumë shpejt do harrohet.

NË QENDËR BERISHA

Me 31 minuta e 45 sekonda fjalimi i Sali Berishës ishte kryeqendra e rëndesës së hapjes së fushatës. Pothuajse të gjithë kandidatët e koaliconit “Bashkë Fitojmë” po kujdesen që ta fokusojnë fushatën në problemet e qyteteve dhe bashkive të tyre. Belind Këlliçi në Tiranë po shkon shtëpi më shtëpi, dyqan më dyqan, rrugë më rrugë e fshat më fashat. Igli Cara po takon sa më shumë njerëz në rrugë, pensionistë, nxënës e fshatarë. Porti, hekurudha, “Veliera”, shkollat, uji i pijshëm kanë qenë refrenet e problemeve që ai ka trajtuar. Luçiano Boçi ka bërë inkursione në çdo cep të Elbasanit dhe inceneratori i qytetit është lajmotivi i fushatës së tij. Pak a shumë kështu kanë bërë edhe kandidatët e tjerë. Por kaq. Sali Berisha ndonëse po shkon 79 vjeç e hedh poshtë këtë stil lokal. Ai është shfaqur edhe dje si në vitet e arta të karrierës duke qenë edhe këtë herë në qendër të fushatës dhe duke intrajtuar këto zgjedhje të mirëfillta politike. Sapo kandidatët trajojnë çështje locale, Berisha i përmbys duke i trajtuar si çështje kombëtare. Sapo kandidatët ulin tonet me kundërshtarët dhe rivalët në garë, Berisha nxjerr në skenë arsenalin e vet duke e nxehur fushatën. Kjo u pa edhe të shtunën në stadium. Në qendër ishte Berisha me politikën e tij qendrore kundër qeverisë dhe pak trajtoi problemet lokale. Dhe në fund, por jo për nga rëndësia. Në ekranin qendror u shfaq një thënie me mjaft mendim me autor novatorin më të madh në botë të kohëve moderne, Steve Jobs: Vetëm ata që janë mjaftueshëm të çmendur sa të besojnë se mund të ndryshojnë botën, janë ata që e bëjnë në të vërtetë. Sigurisht adhuruesi i tij është Sali Berisha. Kuptojmë që këto fjalë mund ti shkojnë Berishës, por nuk jemi të sigurtë nëse këto fjalë mund ti përshtaten ndryshimit të madh që nuk po ndodh në Partinë Demokratike.

STARI I FUSHATËS BELIND KËLLIÇI

Zbritja në fushë duke dalë nga autobusi i me mbishkrimin “falas” dhe me numrin 5, kishte vlerën e një personazhi star që përgatitet të nisë të luajë futboll. Nuk e teprojmë të themi Belind Këlliçi është stari i të gjithë fushatës së koaliconit “Bashkë Fitojmë”. Dhe kështu u trajtua edhe të shtunën. Të gjitha potencialet, të gjitha bateritë, të gjithë mbështetjet janë vënë në dispozicion të 35-vjeçarit që ndonëse në moshë shumë të re po zhvillon një garë që ka në dorë fatet e PD-së së Rithemelimit. Megjithatë xhelozitë dhe bërrylat kanë nisur që tani. Belo duket se ka nisur të grumbullojë pushtet pa marrë akoma pushtet dhe kjo nuk u pëlqen shumë peshave të rënda në PD. Nëse fiton Tiranën, kjo do ishte fitorja e madhe dhe totale e zgjedhjeve. Por a ka shanse që Këlliçi të fitojë? Në hapjen e fushatës ai nuk e ndërpreu zelli që e karakterizon. Por kjo nuk mjafton. Sondazhet tregojnë së është të paktën 10 pikë prapa Veliajt. Fryma e fitores e thënë me fjalë nuk po duket gjëkundi dhe stand up-et e shpeshta në rrugën “Myslym Shyri” nuk po prodhojnë ndonjë uragan që do bëjë përmbysjen.

Në fjalimin e të shtunës nuk tregoi ndonjë cilësi të veçantë në artikulim. Me 14 minuta e 48 sekonda, ai ishe fjalimi i dytë më i gjatë, pas Berishës. Madje ishte më i gjatë edhe se fjalimi i Ilir Metës, por ai nuk dha ndonjë mesazh që të mbeste në mendje. Më shumë ngjante si fjalim fitoreje, se sa fjalimi i parë i hapjes së fushatës. Falenderimet për familjen bëhen zakonisht pasi fiton një garë, ndër Këlliçi i bëri si paradhënie të një rezultati që nuk duket të jetë pozitiv për të. E vetmja gjë që ngjiti më shumë nga të gjitha pikat e programit që proklamoi ishte premtimi i ndërtimit të një nënkalimi në unazën e vogël të sheshit “Skënderbej”. Se premtimi i madh për urbanët falas nuk besohet nga shumica e njerëzve sapo kuptojnë se kjo do të sjellë uljen e cilësisë së shërbimit. Megjithatë, Këlliçi nuk humbet edhe nëse do humbasë këtë garë të madhe. Më 15 maj formati i tij si politikan do ketë tjetër dimension. Teorikisht, pse jo edhe praktikisht, Belind Këlliçi do jetë kandidati për të qenë pasardhës i Sali Berishës në krye të PD. Edhe humbja ia vlen.

BETEJA E PJESMARRJES

Tashmë është bërë e traditës. Forca që organizon një aktivitet dhe manifestim politik deklaron shifra të fryra pjesëmarrjeje, ndërsa kundërshtarë se nuk pjesëmarrja ishte e ulët. Nuk shpëtoi as hapja e fushatës këtë të shtunë. Sali Berisha, një mjeshër i sa e sa manifestimeve politike shkroi në faqen e tij në facebook plot entuziasëm, por me inflacion: “Manifestimi elektoral më madhështor, më magjepës në 32 vite! Mirënjohje të pakufijshme të gjithë atyre që ndihmuan në suksesin tonë të jashtëzakonshëm ditën e sotme! Suksese”!

Që Sali Berisha ka drejtuar dhe organizuar manifestime shumë herë më të mëdha se ky, kjo është një gjë që dihet. Që stadiumi të shtunën kishte pjesmarrje të kënaqshme por që në momente të caktuara të pranishmit dolën jashtë edhe kjo është e vërtetë. Që të thuash se fjala e Berishës u braktis edhe kjo nuk ngjit. Por që të thuash se ky është manifestimi më i madh politik i bërë ndonjëherë kjo është e pasaktë. Mund të renditen sa sa të tillë që e lënë në bisht atë që ndodhi të shtunën në Air Albania. Nuk po përmendim marsin e vitit 1992. Nuk po përmendim 28 qershorin 1997. Nuk po përmendim majin e vitit 2000 në Vlorë të cilin Berisha e ka vitrinën e të gjitha manifestimeve politike. Nuk po përmendim as ato të vitit 2001-2002 e as ato të vitit 2004- 2005 të fushatës elektorale. Por edhe manifestimet e Lulzim Bashës sa drejtoi PD-në nuk mund të thuash se nuk kishin pjesmarrje. Të gjitha këto të bëjnë të besosh se debatet për pjesmarrje ose jo nuk kanë ndonjë vlerë dhe duhet ti japim të drejtë Sabri Godos së ndjerë që nuk lodhej së përsërituri se pjesmarrjet në mitingje nuk janë domosdoshmërisht vota.

KANDIDATËT E TJERË QË PËR PAK SA FIKËN MANIFESTIMIN

Përveç liderëve kryesorë, veçohej nga të gjithë nga ata që folën në Air Albania, kandidati për bashkinë e Elbasanit Luçiano Boçi. Jo vetëm artikulimi i mirë i një pedagogu apo parlamentari të vjetër po eedhe një personaliteti tashmë në politikë që mund të jetë një nga surprizat e këtyre zgjedhjeve. Ndonëse jo në të njëjtin nivel, nuk ishin keq as fjalimet e Bardh Spahisë së Shkodrës apo Igli Carës së Durrësit dhe Ledina Alolli të Korçës. Por kur nisën të flisnin edhe kandidatët e disa bashkive të tjera manifestimi gati po fikej. Artikulime të dobta që mezi lexonin ato që u kishin shkruar linin të kuptoje qw fjalimet e tyre ishin tw panevojshwm. Kulmi ishte një kandidate që mjaftonte ta dëgjoje për të kuptuar se më 14 maj vetëm ndonjë mrekulli mund të ndodhte që të fitonte. Disatë pranishëm në shkallët e stadiumit që mezi po duronin diellin por që nuk mundën të duronin këto fjalime, dolën jashtë stadiumit.

Me 11 minuat e 11 sekonda fjalim Ilir Meta theu një hegjemoni në marrëdhënit e Partisë që ai themeloi 19 vjet më parë dhe PD. Pothuajse ishte bërë si rregull që LSI edhe pse ishte aleatja e parë dhe më e madhe mes të vegjëlve, në çdo manifestim politik nuk kishte asnjë përfaqësues që fliste në emër të kësaj partie. Madje dukej sikur Lulzim Basha ia kishte ndaluar zonjës Kryemadhi të mbante fjalim. Por nuk ndodhi kështu pardje në hapje të fushatës. Ilir Meta që në fillim tha se eksperienca e tij e do që “duhet të vrapojmë” dhe këtë e demonstroi duke vrapuar drejt foltores përpara se të merrte fjalën. Ato që ai dha si mesazhe ishin të tilla që tregoni se Partia e Lirisë ka peshë gravitacionale të rëndësishme në koalicionin “Bashkë Fitojmë” por edhe më shumë se kaq. Synimi për të marrë sa më shumë anëtarë të këshillave bashkiake është një zgjedhje e mençur e Metës. Revolucioni me votë ishte thelbi i asaj që Meta than në fjalim, por që më shumë dukej si një thirrje për të shkundur PD-në se sa një mesazh për të vetët me tw cilët noton në ujra te qeta. 14 maji do tregojë shumë. Por 15 maji edhe më shumë.