4 banesa janë kontrolluar dhe 6 persona janë shoqëruar për vdekjen e kenianes Joy Aoko.

Policia dhe prokuroria janë vënë në aksion 9 muaj nga vdekja e 22-vjeçares e cila punonte në një kazino në Tiranë.

Euronews Albania mëson se mëngjesin e kësaj të shtune me vendim gjykate është ushtruar kontroll në 4 banesa, ndërsa janë marrë në pyetje 6 persona. Shoferi i kazinosë R.B., është shoqëruar gjithashtu, ndërsa në pyetje është marrë dhe i vëllai.

Hetuesit po punojnë për zbardhjen e të vërtetës.

Joy Aoko u gjet e rrëzuar nga kati i tretë i banesës ku jetonte me qira, pranë vilave gjermane në gusht të vitit 2022.

Ajo shtrua në spitalin e Traumës më datë 14 gusht 2022. 22-vjeçarja i mbijetoi fillimisht plagëve të marra, por një dëmtim në tru e la në gjendje vegjetative. E reja nuk i mbijetoi dot dëmtimeve të marra, duke ndërruar jetë 6 muaj pas ngjarjes së rëndë.