Presidenti serb Aleksandër Vuçiç hodhi poshtë mundësinë e një përplasje të madhe me Kosovën të ngjashme me pushtimin rus në Ukrainë. Nga Italia, ku ishte në takim me kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë Dimitar Kovaçevski, Vuçiç tha se do të bëjë gjithçka është e mundur që të shmangë përshkallëzimin e marrëdhënieve pasi mendon se nuk është në dobinë askujt.
“Por kundërpyetja ime retorike do të ishte gjithmonë, po mirë, çfarë duhet të bëjmë?! Të luftojmë më shumë?! Të zihemi më shumë?! Të kemi më shumë përplasje?! Të bëjmë një Ukrainë tjetër apo çfarë? Sepse shoh që ka shumë njerëz në Serbi, që do të donin të shihnin një përplasje të madhe a nuk di çfarë. Çfarë prisni nga ne?! Në qoftë se prisni nga ne që ta bëjmë këtë ngarkesë politike edhe më të madhe, edhe më të rëndë për të gjithë qytetarët serbë apo qytetarët shqiptarë?! Unë do të bëj maksimumin tim për ta shmangur dhe besoj se dhe Edi po bën të njëjtën gjë. Besoj në miqësinë e ardhshme në qytetarët shqiptar dhe serbë.”- tha Vuçiç.
Ndërsa kryeministri Edi Rama konfirmoi se çështja e Kosovës përbën mosmarrëveshjet më të mëdha të Shqipërisë me Serbinë. Kreu i qeverisë vuri theksin te normalizimi i marrëdhënieve, dialogu dhe lënia pas e së shkuarës ndaj s’duhet të kthehen mbrapsht. Bazuar në takimin që pati me Albin Kurtin në Tiranë, kryeministri Rama tha se ishte më i hapur e më konstruktiv se më parë.
“Dialogu është në një pozitë tjetër sot dhe unë besoj fort se edhe pse të gjithë mund të marrin merita, mendoj që meritat u shkojnë qytetarëve të këtij rajoni dhe nevojës për të mos i çuar njerëzit në buzën e një humnere tjetër dhe më duhet t’iu them që jam takuar me kryeministrin Kurti para pak ditësh dhe pashë që ishte shumë më i hapur dhe konstruktiv sesa më parë. I thashë atij, ia thashë publikisht dhe e përsëris se është shumë e rëndësishme që të nxisim e të sigurohemi që si pjesa e Asociacionit dhe aspekti fetar i dialogut të garantohen 100% për qytetarët serbë në Kosovë që janë pakicë e duhen parë si urë e së ardhmes, jo si problem midis të gjithëve ne në të ardhmen”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama përsëriti se Kosova ka mbështetjen e plotë të Shqipërisë për të ecur përpara dhe njëfarësoj për ta lënë pas krahëve të shkuarën.
Kujtojmë se më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti dhe Vuçiç pas më se 10 orësh bisedime, arritën marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian. Në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të pranuar parimisht gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.