Nga Adriatik Doçi/
Vlera vilës së Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës në Gjirin e Lalzit vijon të mbetet një mister i madh, por jo manovra se si çifti i politikanëve e krijuan këtë pasuri, sot simbol i abuzimit me pushtetin dhe mosndëshkimit. Vila e famshme në Gjirin e Lalzit është produkt dhe rrjedhojë e pallatit të Monika Kryemadhit në Laprakë. Në vitin 2010, Monika Kryemadhi deklaron se ka shkëmbyer me kompaninë Lura shpk 300 m2 sipërfaqe ndërtimore tek pallati i saj në Laprakë, me vilën dykatëshe me sipërfaqe 317 m2 në Gjirin e Lalzit.
Në vijim janë shfaqur disa pamje të një vile madhështore, me palma gjigande, oborr dhe një arredim të brendshëm prej sheikësh. Në një dokumentar televiziv, i cili u zhduk më pas, Monika Kryemadhi tregonte me mburrje 11 tualete, një nga të cilët vetëm për macen.
A mundet që një vilë me një sipërfaqe të pretenduar 317 m2 të ketë 11 tualete?
Dyshimet janë të forta se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mund të kenë gënjyer në ILDKPKI, duke fshehur një pasuri miliona euro. Megjithatë, një dyshim i tillë sot është vështirë të konfirmohet nga gazetarët investigativë, vetëm nëse SPAK do të zbarkojë një ditë në këtë vilë, siç zbarkoi tek vilat e Arben Ahmetajt.
Në deklarimet e Monika Kryemadhit flitet vetëm për një shtëpi 317 m2. Nuk ka të dhëna për oborrin, ku Ilir Meta shfaqet herë pas here me të besuarit e tij. Gjithashtu, mbetet mister nëse vila ka qenë e mobiluar nga kompania Lura apo është mobiluar më pas nga Meta dhe Kryemadhi. Në ILDKPKI nuk figuron asnjë shpenzim nga çifti Meta-Kryemadhi për arredimin.
Më e pabesueshme është historia se si Monika Kryemadhi arriti të ndërtonte pallatin në Laprakë, gjithnjë sipas versionit të saj të deklaruar në ILDKPKI. Referuar dokumenteve, në 19 tetor të vitin 1995, vëllai Drini Kryemadhi i ka dhuruar Monika Kryemadhit 1 200 m2 tokë, nga të cilat 200 m2 truall, në Laprakë. Në 26 mars të vitit 2007, Monika Kryemadhi thotë se ka blerë aty ngjitur edhe 700 m2 tokë me kursimet e saj. Në deklaratë është shënuar një shifër 5 milionë lekë (rreth 50 mijë USD). Nuk dihet nëse bëhet fjalë për vlerën e pronës në total 1900 m2 apo vetëm për 700 m2 që ka vlerë zonja Kryemadhi me kursimet e saj nga paga.
Në 27 shtator të vitit 2008, Monika Kryemadhi ka lidhur një kontratë me kompaninë Agikons të Gentjan Sulës, për të ndërtuar një pallat mbi tokën e saj me sipërfaqe 1900 m2. Nga kjo kontratë, Monika Kryemadhi do të përfitonte 35 % të sipërfaqes së ndërtimit. Në këtë sipërfaqe ndërtimi përfshihen 300 m2 ndërtim që i ka shkëmbyer me kompaninë Lura në këmbim të vilës në Gjirin e Lalzit si dhe 13 apartamente.
Ka shitur 10 apartamente me vlerë rreth 1 milionë euro. Kjo shumë, bashkë me rrogat, është e pamjaftueshme për të mbuluar nivelin e jetesës, shkollimin e fëmijëve në Angli, qindra mijëra euro shërbime estetike, rreth 1.2 milionë USD shpenzime për lobim, qindra udhëtime me avion, festa, ditëlindje etj. Kujtojmë që vetëm në vitin 2014, Monika Kryemadhi ka shpenzuar rreth 18 mijë USD vetëm për një ditëlindje, shumë e cila konsumon pagën vjetore të Kryemadhit si deputete.