Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama konsideroi se “diçka shumë e madhe” nuk shkon me gjyqin e ish-liderëve të UÇK-së, në prag të zhvillimit të saj të hënën e 3 marsit.

“Ka diçka shumë të madhe që nuk shkon me këtë proces. Pa dashur fare të paragjykoj aspektin që ka të bëjë me drejtësinë dhe me pavarësinë e një gjykate e cila është formuar me votën e Parlamentit të Kosovës. Mbetem i mahnitur në sensin më negativ nga fakti që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizjeje çlirimtare popullore jo i një ushtrie të organizuar por i një rebelimi ndaj një regjimi brutal që synoi të spastronte etnikisht shqiptarët në Kosovë, akuzohen si kriminelë”, u shpreh Rama.

Rama e reflektoi edhe një herë përkrahjen e plotë që ka për Thaçin dhe kauzën që ai ka mbrojtur, për lirinë e popullit të Kosovës. “Ai u mor si president në detyrë i mbyllur brenda pa akuzë jashtë çdo lloj imagjinate në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe do duhet të përballet me një proces që mua më bën të mendoj ‘mos vallë ky do jetë fati i presidentit Zelensky mbas 10 vitesh’”, shtoi Rama.

Kryeministri shqiptar mbështeti më herët protestën masive që u organizua në Prishtinë në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nën përshkrimin “Me Marshin për Drejtësi”, kreu i Qeverisë ka ripostuar disa pamje nga tubimi masiv i organizuar nga platforma “Liria ka Emër”. Ky marshim u mbështet nga të gjitha partitë politike, personalitete të shumta, organizata të shoqërisë civile.

“Marshi për Drejtësi” ka rezultuar në një nga organizimet më masive të pas luftës. Numri i përafërt akoma nuk është bërë i ditur, por dhjetëra mijëra, nga Kosova, diaspora, Shqipëria e Maqedonia e Veriut u grumbulluan në sheshet kryesore të Prishtinës. Ish-presidenti i Kosovës dhe një prej komandantëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës kundër Serbisë, Hashim Thaçi, do të përballet të hënën me një gjyq ndaj tij, nën akuzën për krime lufte.

Lidhur me rrethanat e fundit, sa i takon gjyqit, ka qenë vetë avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ai i cili ka thënë se pret një gjykim të gjatë, por ka bindjen gjithashtu se do të jetë i aftë të tregojë rolin e ish-presidentit në luftën për liri, duke i siguruar edhe shfajësimin nga akuzat. Për të treguar rolin e ish-udhëheqësit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe pas qershorit 1999 si politikan në ndërtimin e paqes dhe pajtimit ndëretnik, mbrojtja planifikon të thërrasë si dëshmitarë edhe disa personalitete ndërkombëtare të profilit të lartë.

Avokati Kehoe ka treguar se do të ftohet gjenerali Wesley Clark, Bernard Kouchner, përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë/ shef i Misionit të UNMIK-ut nga korriku 1999 deri në janar 2001, William Walker, i cili ka qenë drejtues i Misionit Monitorues për Kosovën nga tetori 1998 deri në qershor 1999, Daan Everts, ish-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë në periudhën 1999-2001 dhe disa personalitete të tjera. “Të gjithë këta janë të gatshëm të dëshmojnë”, ka thënë Kehoe duke shprehur brengosjen se për shkak të zgjatjes së gjykimit, mund të humbasin ndonjërin nga këta dëshmitarë.

“Kemi një listë dëshmitarësh që planifikojmë t’i vendosim para gjyqtarëve. Por, shumë nga këta zotërinj janë të moshuar. Unë ju dëshiroj një jetë të gjatë, por kjo është edhe një ndër arsyet pse duam që procesi të shkojë sa më shpejt”, theksoi avokati. Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999. Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi. Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. Ndryshe më 11 prill, Gjykata Speciale, ka paraparë fillimin e procesit të paraqitjes së provave nga ana e Zyrës së Prokurorisë Speciale, respektivisht me dëgjimin e dëshmitarëve.