Rritja e pagave në administratën shtetërore ka ndezur shpresë edhe te punonjësit në privat, të cilët besojnë se ky ndryshim do ndikojë edhe punëdhënësit e tyre që t’i paguajnë më shumë.

“Duhet të ndryshojnë dhe pagat. Do ndikojë besoj se edhe çmimet janë rritur”, shprehet qytetari.
Për ekonomistët ndikimi nuk do të jetë i shpejtë dhe në të njëjtën masë. Ndryshe nga gati dyfishimi i pagave në sektorin shtetëror brenda një viti, eksperti Fatos Çoçoli parashikon një rritje në vlerën 15-20% në harkun kohor të 3 viteve në sektorin privat.

“T’u japësh më shumë para njerëzve, është mirë gjithnjë se kjo do të thotë më shumë konsum e rrit ekonominë e vendit. Por duhet të kemi parasysh që në shtet 135 mijë punonjës kemi, e ndikimi nuk do jetë i menjëhershëm pasi në sektorin privat janë 1.2 milionë”, deklaroi Fatos Çoçoli.
Megjithatë, privati sipas ekonomistëve do të përballet me një presion nga punonjësit më të kualifikuar të cilët do të preferojnë më shumë shtetin për kushtet që ai ofron dhe volumin e punës në raport me pushimet.
“Do e quaja një kërcënim pozitiv, sepse privati duhet të rris ofertën për të mbajtur punonjësit që mos ikin në shtet, sepse e para në shtet vendi i punës është më i sigurt dhe e dyta janë pushimet e fundjavës dhe festave që i tërhiqen ata”, shtoi më tej eksperti.