Vetëm 2 ditë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore që do të mbahen më 14 maj, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të vizitojë Shqipërinë.
Escobar pritet të mbërrijë në Tiranë ditën e sotme dhe do të qëndrojë deri më 13 prill. Zyrtari i lartë amerikan do të takohet me kryeministrin Edi Rama e presidentin Bajram Begaj. Ndërkohë nga opozita pritet që të takohet me kreun e komanduar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeajn, Gazment Bardhin e Jorida Tabakun, ndërsa siç edhe pritet do të shmangë takimin me Sali Berishën, i shpallur non grata nga SHBA.
Takimi i Escobar me kryeministrin Edi Rama pritet të zhvillohet rreth orës 16:00, ndërsa në orën 17:00 do të pritet në takim nga presidenti Begaj.
Hera e fundit që Escobar vizitoi Tiranën ishte në prillin e vitit të kaluar kur ai shoqëronte ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit për çështjet europiane dhe euroaziatike, Karen Donfried.