Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u takuan sot në Uashington me zëvendëspresidenten për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore nga Grupi i Bankës Botërore, Antonella Bassani.

Takimi u mbajt në kuadër të mbledhjeve të pranverës të FMN-së dhe BB-së, ku Ibrahimaj dhe Sejko po marrin pjesë.

Në takimet e zhvilluara me autoritetet e larta të FMN-së dhe BB-së, ministrja Ibrahimaj ka theksuar faktin se vitet e fundit kanë qenë sfiduese sa i përket financave publike dhe shpenzimeve buxhetore, duke qenë se Shqipëria është përballur me tri kriza të njëpasnjëshme: tërmeti i vitit 2019, pandemia COVID-19 dhe kriza aktuale e çmimeve.