Kryeministri Edi Rama ka çelur fushatën elektorale për Zgjedhjet Vendore të 14 majit në Kavajë. Mes të tjerash, Rama ka theksuar se janë gati për të ndërtuar stadiumin e ri të Besës, nëse kryebashkiak zgjidhet Redjan Krali, kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë. Në takim ishte i pranishëm edhe presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, teksa nuk munguan batutat mes tyre. Kujtojmë se stadiumi “Besa” në Kavajë është jashtë funksionit prej vitesh dhe nuk përdoret për asnjë aktivitet.
“Nëse doni ta ktheni Kavajën pas, do shembim edhe stadiumin se ky është i kategorisë “DS 5”. Nëse na jepni mundësinë ta ndërtojmë, do e bëjmë sa të na e jepni. Do nisim menjëherë projektin. Stadiumin e Kavajës mund ta bëjmë’, tha fillimisht Edi Rama.
Më pas kryeministri bëri batuta edhe me presidentin e “Klubit të Futbollit Besa”, Nexhat Bizhdili.
“Ngaqë ke mbetur ‘me dy gishta’ keni ngelur në Kategori të Tretë, s’keni turp. Stadiumet në Durrës dhe Korçë do bëhen në bashkëpunim me biznesin. Nëse ju bëheni një grup këtu të jepni kontribut dhe të shfrytëzoni mjediset aty, dyqane, restorante, fitnes, na e lehtëson punën të marrim dhe ne pjesë. Qeveria futet në një pjesë, Federata në një pjesë, ju në një pjesë, pra biznesi, dhe bashkia do të na japë një dorë meqë ka fondet më të mëdha këtu. Thuaji atyre ‘me dy gishta’ që nëse ja japin votën atyre që duan ta çojnë Shqipërinë si Kavaja në Kategori të Tretë, s’ka stadium”, tha Edi Rama.