E ardhmja e Igli Tares tek Lazio duket e pasigurt. Siç raportojnë mediat italiane, shqiptarit ende nuk i ka ardhur një ofertë zyrtare nga klubi kryeqytetas dhe për këtë po mendon seriozisht largimin nga bardhekaltërit.
Ndonëse kohët e fundit u përfol se ka patur një takim mes Tares dhe Presidentit Lotito, palët nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët dhe me shumë gjasa, Tare do i japë lamtumirën Lazios në fund të këtij sezoni.
Menjëherë pas këtij lajmi, në Itali raportojnë se Juventus është hedhur në sulm për të rrëmbyer Taren. Pezullimi i ish-drejtuesve sportiv tek “Zonja e Vjetër” pas falsifikimit të dokumentave ka bërë që tek bardhezinjtë të mos humbin kohë dhe të kërkojnë për një menaxher të ri dhe emri më i përfolur është ai i 49-vjeçarit, ndonëse deri më tani nuk ka asnjë detaj më tepër.
Ndërkohë, edhe tek Lazio kanë emrat gati për zëvendësuesin e Tares. Që nga drejtori sportiv i Empolit, Pietro Accardi, deri te ish-drejtori sportiv i Beneventos, Pasquale Foggia.
Kështu, nëse gjithçka konfirmohet, pas afro 14 vitesh Igli Tare duket se ka vendosur të ndajë rrugët me Lazion, ndonëse gjithmonë është konsideruar si një nga drejtorët sportivë më të suksesshëm në gjithë Italinë.