Kina ka paralajmëruar se kritikat ndaj saj mbi Tajvanin do të kenë pasoja të rrezikshme. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm kinez Qin Gang i cili këmbënguli se Pekini është një forcë në rritje në arenën ndërkombëtare që po promovon paqen dhe drejtësinë.

Dy javë më parë Kina nisi tre ditë stërvitje ushtarake rreth Tajvanit duke simuluar sulme në shënjestër dhe një bllokadë të ishullit, në përgjigje të një takimi midis presidentit tajvanez Tsai Ing-wen dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin McCarthy.

“Kohët e fundit, ka pasur një retorikë absurde që akuzon Kinën për ndryshim të njëanshëm të status quo-së përgjatë ngushticës së Tajvanit, përmes forcës ose detyrimit, dhe për prishjen e paqes dhe stabilitetit në të gjithë ngushticën,” tha Gang ndërsa mbajti fjalimin kryesor në një forum mbi modernizimin kinez.

“Pretendime të tilla bien ndesh me sensin bazë të përbashkët mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe drejtësinë historike. Kjo logjikë është absurde dhe pasojat janë të rrezikshme” i tha ai audiencës në Shangai.

Vërejtjet për Tajvanin erdhën në fund të një fjalimi në të cilin Qin theksoi vazhdimisht qëllimet paqësore të Kinës.

“Ne kemi rekordin më të mirë në respektimin e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së, ligjit ndërkombëtar dhe normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare,” tha ai.

Duke vënë në dukje rolin e Kinës në ndihmën për të sjellë një pajtim të kohëve të fundit midis Arabisë Saudite dhe Iranit, ai përsëriti gjithashtu pozicionimin e Pekinit si ndërmjetës në luftën e Ukrainës duke thënë se kinezët nuk po i hedhin benzinë zjarrit por po përpiqen për paqe.