Sot është dita e tretë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhë ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi ka mbajtur sot fjalën. Venkateswari Alagendra, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, tha se fakti që prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal “ishte i njohur dhe publik”, nuk qëndrojnë.
“Kjo i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur”, tha ajo duke iu referuar bombardimeve të NATO-s që çuan në fundin e luftës në Kosovë.
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para trupit gjykues, tha se ai “urren dhunën, vrasjen e torturat”, jo sepse ai ka qenë subjekt i dhunës, por sepse “i konsideroj të ulëta”.
“Kushdo që më njeh do t’iu thotë, se unë Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë”, tha ai.
Ai po ashtu tha se nuk e kupton logjikën e aktakuzës së ngritur ndaj tij, duke shtuar se “ndaj popullit tonë është nënshkruar dhunë sistematike”.
Jakup Krasniqi para trupit gjykues tha se gjatë kohës sa ka qenë zëdhënës i UÇK-së, është përpjekur që përmes deklarimeve të mbajë shpresën te populli për të vazhduar rezistencën.
“Në rolin tim si zëdhënës i UÇK-së jam përpjekur të jap përshtypje se jemi një strukturë e organizuar mirë për të mbajtur shpresë te populli”, tha ai.
Prandaj, Krasniqi tha se “deklaratat e mia duhet të shihen si pjesë e propagandës për të afirmuar luftën tonë çlirimtare”. Ndër të tjera ai ka theksuar se ai është i lënduar nga aktakuza e ZPS-së, më shumë sesa burgjet e torturat nga Serbia.
“Sa herë është varur nga ne, paqes i kemi hapur gjithmonë portat. Ne udhëhiqeshim nga ‘porosia e Skënderbeut’ që na thoshte ‘të kërkosh luftë është çmenduri por t’i përgjigjesh asaj është urti’”, tha mes emocionesh Jakup Krasniqi.