Zona e Durrësit të Ri do të ketë shumë shpejt 52 rrugë të reja sipas standarteve bashkëkohore duke realizuar ndërhyrje në të gjithë territorin e saj. Kështu ka deklaruar kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit në takimin e zhvilluar më banorë të kësaj zone. Pasi ka mbjellë në mënyrë simbolike disa pemë me banorët, kryebashkiakja Sako tha se: “ne jemi për barazi sociale dhe kjo nënkupton që të kryejmë investime në rrugë, gjelbërim dhe ndriçim të të gjitha njësitë administrative dhe lagjet e Durrësit. Në këtë mënyrë ne u shërbejmë të gjithë banorëve njëlloj dhe kështu do veprojmë. Pas ndëryrjeve që kemi bërë në rrugën “Shkodra”, “Azem Hajdari”, fillojmë punën për rikosntruskionin e rrugëve dytësore që lidhen me to”.
Kryebashkiakja Emiriana Sako shtoi se me ndihmën e qeverisë, po i marrim blloqet e banimit një nga një duke realizuar investime në të gjithë zonën, pa asnjë dallim. Për këtë arsye është menduar një shumë e konsiderueshme nga buxheti i bashkisë për ndërhyrjen në këto rrugë së bashku edhe me ndihmën e qeverisë shqiptare, e cila ka premtuar dhënien e fondeve për këtë qëllim. Sako tha se brenda mandatit të ardhshëm do të realizohen të gjithë ndëryrjet në rrugë, kanalizime dhe shërbime të tjera shtesë.

Një pikë tjetër e bashkëbisedimit me banorët ka qenë edhe shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”. Kryebashkiakja Sako tha se: “para një viti nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle na kërkuan rikonstruksionin dhe tashmë ne e kemi futur në plan dhe ajo është gati për nisjen e punimeve”. Me fondet e bashkisë Durrës është planifikuar që në zonën e Durrësit të Ri të ndërtohet edhe një kopësht i ri, kënde lojërash për fëmijët dhe mjedise shlodhëse për moshën e tretë.