Antarktida mbetet ende sot një mister për pjesën më të madhe të eksploruesve, shkencëtarëve dhe shumicës së njerëzve. Por fotografi të rralla, të realizuarë 100 vite më parë, tregojnë sesi ka qenë kontinenti më jugor i planetit.

Fotot vijnë nga arkivat e ekspeditave të zhvilluara atje në fillimet e shekullit XX dhe janë ruajtur nga Arkiva Kombëtare e Australisë, divizioni i Antarktidës.

Koleksioni përbëhet nga qindra fotografi bardhë e zi dhe filmat e tyre të cilat dokumentojnë kushtet e rënda, botën e pazakontë të kafshëve dhe jetën e përditshme gjatë udhëtimeve epike që zhvilloheshin aty nga eksploratorët australianë dhe britanikë në vitet 1910.

“Jam shumë i lumtur që ky koleksion do të vijojë të ruhet në mënyrë që edhe brezat e ardhshëm të kenë mundësi ta shijojnë”, tha për mediat lokale drejtori i përgjithshëm i Arkivës Kombëtare të Australisë, Simon Froude. “Fotografitë tregojnë kushtet e vështira të cilat duhet të përballonin eksploruesit tanë , por gjithashtu tregojnë edhe botën e mrekullueshme të kafshëve të egra atje si dhe teknologjinë që përdorej në atë kohë”.

Antarktida

Kontinenti më jugor i planetit dhe i pesti më i madh, është thuajse i gjithi i mbuluar nga akulli.

Antarktida është gjithashtu kontinenti më i lartë, më i thatë, me më shumë erë, më i akullt dhe më i ftohtë në planet.

Sipërfaqja e Antarktidës është 14,2 milionë kilometra katrorë, 98% e së cilës e përbërë nga blloqe akulli të trashë.

Kontinenti është i ndarë në dy pjesë, Antarktida Lindore, kryesisht e përbërë nga akulli dhe Antarktida Perëndimore, kryesisht e përbërë nga një male dhe arkipelagë ishujsh të mbuluar nga një shtresë akulli.

Kontinenti përmban rreth 29 milionë kilometra kub akull.

Prej vitit 1959, pas nënshkrimit të Traktatit të Antarktidës, të gjithë shtetet e botës kanë rënë dakord të mos kryejnë aty veprime ushtarake.

Burimi “Enciklopedia Britanike”