Partia Socialiste prezantoi sot në një mënyrë të veçantë listën e Këshillit Bashkiak të Elbasanit. Në vend të takimeve të mëdha dhe materialeve propagandistike, drejtuesi politik i qarkut, Damian Gjiknuri, kryebashkiaku Gledian Llatja, deputetët dhe drejtuesit vendorë të Partisë Socialiste, shoqëruan kandidatët për këshill në një nismë për mbjellje pemësh në zonën e Krastës.
Numri dy i socialistëve u shpreh se kjo hapje fushate tregon dhe vizionin e vullnetin e PS-së për të kontribuar për zhvillimin e Elbasanit.
“Në fakt kjo është hapja e fushatës me ekipin e mrekullueshëm të Këshillit Bashkiak dhe me gjithë ekipin tonë politik. Ndryshe nga fushatat me çjerrje dhe me të bërtitura, ne kemi zgjedhur simbolikisht të mbjellim një pemë. Pse? Duke dhënë mesazhin që ne jemi pro zhvillimit të Elbasanit me vepra. Duke mbjellë një pemë, ne krijojmë dhe një shpresë për të ardhmen dhe natyrshëm ky qytet meriton të ketë më shumë bukuri, më shumë zhvillim, gjë që po bëhet realitet dita-ditës”, tha ai.
Gjiknuri nënvizoi se Këshilli Bashkiak do të jetë së bashku me Gledin, ekipi i garancisë që zhvillimi i Elbasanit nuk do të ndalet.
“Elbasani i katër viteve të ardhshme, pse jo Elbasani i vitit 2030, ashtu siç edhe ne e projektojmë si vizion, do të jetë një qytet me një shëtitore buzë lumit që do ta kenë zili të gjithë. Me një lagje ‘Kala’ të rehabilituar, që do të jetë bukuria dhe simbolika e Elbasanit. Elbasani nuk ka nevojë për fjalime emocionale, se Elbasani iu është kthyer elbasanllinjve. Elbasani ka nevojë për vepra konkrete. Këshilli Bashkiak do të jetë së bashku me Gledin, ekipi i garancisë që zhvillimi i Elbasanit nuk do të ndalet”, nënvizoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, shprehu bindjen se qytetarët e Elbasanit do të votojnë në mënyrë masive kandidatët për këshilltarë të PS. “Simbolikisht ne mbjellim një pemë, japim një shpresë. Elbasani këtë pret dhe ne këtë do t’i ofrojmë si Parti Socialiste. Unë e uroj gjithë këtë ekip të mrekullueshëm të ketë një fushatë sa më të bukur, sa më të mbarë dhe patjetër me Këshillin Bashkiak të fituar në shumicë nga Partia Socialiste, për të bërë realitet të gjitha ato që u thanë. Elbasani do të ecë vetëm përpara me Gledin, me këshilltarët e Partisë Socialiste, me gjithë këtë ekip të mrekullueshëm politik”,- tha Gjiknuri.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, theksoi se kjo fushatë nuk mund të niste më mirë sesa me lajmin e mirë se në 4 vite janë mbjellë 100 mijë pemë dhe sot është pjesë e misionit të BE për uljen e ndotjes. “Jam shumë i lumtur që jam këtu bashkë me listën fituese, listë përfaqësuese të PS të Këshillit Bashkiak, ku po nisim një rrugëtim të ri këtë 4-vjeçar, që po bëjmë gati të fillojmë në Bashkinë e Elbasanit, pikërisht për të vazhduar me punë të mira, por edhe me shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta.
Është vizioni ynë të kemi një qytet të pastër, të gjelbëruar. Vizioni ynë është ta tjetërsojmë të gjithë sistemin tonë të pastrimit, të menaxhimit të mbetjeve, të shtimit të sipërfaqeve të gjelbërta dhe të atyre pyjore.
Të mos harrojmë se Elbasani, fal punës tonë intensive, gjatë këtyre katër viteve është bërë pjesë e misionit të madh që ka BE për uljen e ndotjes në qytete dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta.
Është një punë e madhe, që shumë shpejt në vitet në vijim, ne do të shohim rezultatet konkrete të këtij projekti dhe të këtyre programeve të nisura nga ne dhe me mbështetjen e BE-së. Jemi pjesë e 100 qyteteve, të cilat do të transformohen brenda viti 2030 dhe është një punë e madhe e nisur.
Kemi mbjellë gati 100 mijë pemë vetëm këtë 4-vjeçar. Dua t’ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen dhe t’ju uroj suksese në rrugëtimin tonë të përbashkët”, u shpreh Llatja.
Partia Socialiste ka vendosur që një pjesë të buxhetit të saj elektoral për fushatën e 14 Majit, ta shpenzojë jo për materiale propagandistike, por për t’iu dhuruar pemë bashkive të vendit.