Forcat e armatosura ukrainase kanë bombarduar rajonin Bryansk të Rusisë duke shkaktuar dy të vdekur. Lajmin e bëri të ditur guvernatori Alexandër Bogomaz i cili shpjegoi se një ndërtesë banimi është shkatërruar plotësisht dhe dy shtëpi të tjera janë dëmtuar rëndë. Një person ka mbetur i plagosur rëndë.
Rajoni Bryansk ndodhet në perëndim të Rusisë dhe kufizohet me rajonet Sumy dhe Chernihiv të Ukrainës.
Më herët presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar “hapa të rëndësishëm” për të krijuar një gjykatë për krimet e luftës ruse. Në fjalimin e tij tradicional të mbrëmjes, Zelensky foli për “përshpejtimin e humbjes së Rusisë që e cilëson si shtet terrorist.
“Nuk mjafton mjafton për Ukrainën dhe për botën që Rusia është e dobët, siç po ndodh tashmë. Ajo duhet të jetë plotësisht përgjegjëse për gjithçka që ka bërë”-tha ai.
Zelensky më pas iu referua gjashtë fëmijëve që humbën jetën në sulmin në Uman, me gjithsej 23 të vdekur.
“Kushdo që përgatit sulme me raketa duhet të dijë se do të jetë bashkëpunëtor i vrasjes. Jo vetëm ata që japin urdhra, por të gjithë Ata janë të gjithë terroristë dhe vrasës dhe të gjithë duhet të ndëshkohen”-shtoi ai.
Pas bombardimeve të qyteteve, presidenti ukrainas kishte bërë thirrje për furnizimin e ushtrisë së tij me mbrojtje ajrore dhe luftëtarë. Zëdhënësi i Forcave Ajrore tha se disa dhjetëra pilotë ukrainas janë tashmë të gatshëm të luftojnë me avionët luftarakë F-16.