Nga Çapajev Gjokutaj

Kur Edi Rama shpotiti Belind Këlliçin duke e quajtur kandidat të lodhur, që i ngjante sikur kish humbur fizarmonikën, shumëkush mund të ketë menduar se po e tallte si ish- drejtor të kulturës në bashkinë e Lulëzim Bashës: E ndriti si drejtor në bashki, tani ju ftojnë ta zgjidhni në krye të saj.

Batuta ‘po ma gjetët fizarmonikën do ju bëj një xhiro pa lekë’ që Rama në vijim vuri në gojën e Këlliçit, për të satirizuar premtimin e tij të transportit falas, të shtynte të dyshoje për ngarkesa raciste. Megjithatë hijet e dyshimit vinin e ndesheshin me faktin se socialistëve, aq më pak kreut të tyre, nuk ua lejon mendësia e solidaritetit dhe e barazisë që, për t’i ulur pikët kundërshtarit, të damkosin një pakicë të tërë etnike.

Nënteksti racist i batutës së Ramës u bë i fortë dhe gati i sigurt në kontekst. Berisha iu përgjigj zjarr më zjarr të nesërmen kur në një takim publik i tha Këlliçit ‘Belind ti je ezmer nga natyra, Rama nxinte nga halli që e ka zënë’.

Edhe Berisha, edhe Rama, njeri më shumë e tjetri më pak, e kanë një farë moshe që mund t’i shtyjë drejt retorikash raciste.

Po s’qënka punë moshe e përvojash. Dje Belind Këlliçi, në një takim me zgjedhës lushnjarë banues në kryeqytet u dëgjua të thoshte ‘ju si lushnjarë jeni në krye të komuniteteve për nga koeficenti i zgjuarsisë’.

‘E paskan zënë ethet e fushatës e flet përçart’ qesëndisi Lilua në kafene, ‘d.m.th ne të labërisë për nga zgjuarsia ardhkemi pas lushnjarëve’.

‘Mos u mërzit – e ngau më tej qesëndinë Ilmiu – ka edhe më keq. Ç’mbetet të themi ne devollinjtë?!