Shqipëria ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Spanjën në kuadër të bashkëpunimit në procesin e integrimit evropian. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka pritur në takim homologun spanjoll Jose Manuel Albares Bueno, me të cilin ka biseduar rreth integrimit të Shqipërisë në BE, për bashkëpunimin dypalësh si dhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Xhaçka u shpreh se deri në fund të 2023, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e screening për të gjithë grup-kapitujt e negocimit, ndaj e cilësoi të nevojshme mbështetjen e Spanjës në lehtësimin e diskutimeve në Këshill, për një vendim pozitiv për hapjen e grupit të kapitujve themelorë. Përmes memorandumit të nënshkruar mes 2 vendeve, Spanja do ofrojë shërbime konsulence dhe asistencë teknike për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Ajo që e bën këtë vizitë domethënëse është momenti në të cilën ndodhemi se i paraprin marrjes së presidencës së Këshillit Europian nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit. Është provë e përkushtimit të Spanjës ndaj rajonit tonë dhe mbështetjes për integrimin europian. Ministri na prezantoi linjat kryesore, ndajmë mendimin se zgjerimi nuk është thjesht instrument por vetë esenca e unionit.

Deri në fund të këtij viti, Shqipëria parashikon të mbarojë procesin e screening. I kërkova që Spanja të na mbështesë dhe të lehtësojë diskutimet për hapjen e grupit themelor. Kemi rënë dakord edhe për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit për koordinimin sa më të mirë të punës të integrimit europian. Spanja do na ofrojë shërbime konsulence dhe asistencë teknike dhe do stimulojë tranzicionin e gjelbërt. Për qëllime të zbatimit të këtij memorandum, do përdoren dhe programe binjakëzimi dhe investime të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Është thelbësore që BE dhe Ballkani Perëndimor të jenë në harmoni të plotë dhe qasja strategjike e Spanjës ndaj rajonit tonë është e mirëpritur. Diskutuam edhe për Kosovën që merr rëndësi të veçantë. Shqipëria është mirënjohëse për angazhimin e BE dhe SHBA për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Xhaçka në konferencën për media.

Edhe ministri spanjoll konfirmoi marrëdhënien mes 2 vendeve duke thënë se mbështetja e Spanjës për Shqipërinë do të jetë shumë gjatë aktive gjatë presidencës në KiE. Në fokus të bisedimeve ishte edhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Po ashtu folën edhe për të luftuar rrjetet kriminale.

“Falenderoj Oltën, mikpritjen e saj të shkëlqyer dhe bisedën e shkëlqyer që patëm. Folëm për marrëveshjet dhe bashkëpunimin bilateral dhe për faktin e presidencës së këshillit europianë. Firmosëm marrëveshjen për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve. Gjatë presidencës spanjolle të BE, ne do të mbështesim progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Erdha në Shqipëri si pjesë e një turi në vendet pro perëndimore. Mbështetja jonë për Shqipërinë, shumë aktive gjatë 6 mujorit të presidencës sonë. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe BE janë temat që diskutuam.

Folëm për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, vizita ime shpreh interesin e Spanjës me Shqipërinë. Ne ndihmuam Shqipërinë me asistencë mjekësore gjatë pandemisë, me vaksina. Folëm, ndamë të njëjtin mendim për agresionin brutal të Rusisë ndaj Ukrainës. Përmenda rolin e Shqipërisë, aktivizimin e saj në çështje të rëndësisë. Ne vlerësojmë vlerat e kartës së të drejtave të kombeve të bashkuara. Pjesë e bashkëpunimit është lufta që kryen policia spanjolle dhe ajo shqiptare për të luftuar rrjetet kriminale, narkotrafikun. Ka një bashkëpunim privat në sektorin turistik, uroj rritjen e kompanive spanjolle në Shqipëri. Ndajmë vlera të përbashkëta sa i takon dhe luftës ndaj terrorizmit, dhunës ndaj grave etj”, tha Jose Manuel Albares Bueno.

Në përfundim të takimit me Olta Xhackës, ministri spanjoll do të takohet edhe me kreun e qeverisë Edi Rama ndërsa tha se po punon që të realizojë takim të kryeministrave të dy vendeve.