Vajza e vogël e Nafijes dhe Qerimit është martuar në moshën 17-vjeçare me një djalë 29-vjeçar që jetonte në Greqi. Çifti është ndarë prej 15 vjetësh, por gjatë martesës ish-dhëndri i tyre i thotë vjehërrve për të blerë një tokë në Sukth.
Sipas Qerimit bëhet fjalë për 4 milionë Lekë, ndërsa Nafija thotë se janë 4500 Euro. Toka blihet vërtet nga ish-dhëndri, Astrit Toçi, por këtu ndodh edhe një mashtrim, i cili sqarohet nga ndërmjetësja Eni Çobani në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Eni Çobani: Zotëria që ka marrë paratë, pra Astrit Toçi, ka ardhur vërtet në Sukth, ka lidhur edhe një kontratë qiraje të gjatë me Gëzim Ymerin deri kur Gëzimi të bëhej pronar vetë dhe t’ia kalonte këtë tokë në emër të Astritit. Çfarë ka ndodhur? Edhe sot e kësaj dite, Astriti tokën e ka blerë, Gëzimi ia ka lëshuar, letrat janë bërë në emër të Astritit dhe lekët kanë qenë të të dy zotërinjve. Prej 15 vitesh Luljeta është ndarë me Astritin dhe Astriti nuk përgjigjet më.
Çfarë ndodh? Mirë në një pjesë që u lidh kjo kontratë me Gëzim Ymerin, por është lidhur një kontratë dhe me motrën e Gëzimit, Adriana Ymerin që edhe ajo ka qenë përfituese nga familja bujqësore bashkë me vëllain e saj dhe në këtë tokë ka futur prindërit Astrit Toçi, me lekët e Qerimit dhe të Nafijes.