Fushata elektorale ende nuk ka nisur zyrtarisht. Sipas Kodit Zgjedhor ajo nis më 14 prill dhe përfundon mesnatën e 12 majit, por realiteti i javëve të fundit se motorët e fushatës nga të gjitha kampet ka nisur me kohë.

Në këto 4 javë kur dhe mund të thuhet se ka nisur plotësisht intensiteti i fushatës, është parë një dallim mes modeleve të fushatës.

Nga njëra anë koalicioni Bashkë Fitojmë me Sali Berishën dhe Ilir Metën protagonist, duke zhvilluar takime dhe mitingje të mëdha elektorale. E nga ana tjetër maxhoranca socialiste që deri më tani ka mbajtur një profil më të ultë, duke zhvilluar më së tepërmi takime te vogla me fokus grupe për problematika lokale.

Nëse kryeministri Rama tha se do të angazhohet në fushatën e 14 majit, vetëm në dy javët e fundit dhe paratë e 2 javëve të para të fushatës do ua dhurojë bashkive që të mbjellin pemë, dy rivalët opozitarë kanë zgjedhur një taktikë ndryshe.

Si Berisha, edhe Meta janë shumë aktive me takime dhe mitingje nga 2 ose 3 në ditë në qytete të ndryshme, duke kërkuar të ndezin entuziazmin te mbështetësit e tyre. I vetmi që duket se po bën një fushatë disi më ndryshe brenda koalicionin “bashkë fitojmë” është kandidati për Tiranën, Belind Këlliçi që i ka dhënë një fokus qendror ecjeve nëpër qytet dhe takimeve spontane me banorët e kryeqytetit.

Ndërkohë, deri më tani nuk janë vërejtur lëvizje të shumta nga kampi i Partisë Demokratike që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj.

Ky i fundit në prezantimin e kandidatëve të tij për kryetarë bashkie në 16 qytete ka zhvilluar vetëm takime të mbyllura me mbështetës të tij dhe duket se ende nuk i ka ndezur motorët e fushatës, në kushtet kur nuk ka nxjerrë as një slogan për këto zgjedhje, por vijon të bëj fushatë me sloganin e Bashës, “Zgjedhim të ardhmen”.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për partitë e tjera më të vogla që deri më tani kanë zgjedhur të bëjnë fushatë me takime të vogla dhe ecje.