Në 2018-ën Google nisi një iniciativë për të mbështetur industrinë mediatike duke luftuar keqinformimin dhe mbështetur gazetarinë quajtur Google News Initiative.
Kjo iniciativë ka tre objektiva specifikë: identifikimin e gazetarisë së saktë duke luftuar keqinformimin; të ndihmojë uebsajtet e lajmeve të rriten nga një perspektivë biznesi dhe të krijojë mjete të reja të cilat ndihmojnë gazetarët të bëjnë punën e tyre.
Për të mbështetur këto objektiva Google asokohe premtoi 300 milionë dollarë investim ndërsa luftimi i lajmeve të rreme është një prej aspekteve më të rëndësishme të kësaj iniciative.
Në mbështetje të këtij objektivi gjiganti i kërkimit përgjatë viteve ka bërë të disponueshme disa mjete dixhitale dhe burime nga Google apo më tutje për të ndihmuar gazetarët por edhe njerëzit e zakonshëm të gjejnë, verifikojnë dhe të shkruajnë lajme të sakta dh që ngjallin interes.
Mjetet e gazetarisë vënë në dispozicion në kuadër të Google News Initiative ndahen në tre kategori: Grumbullim Lajmesh, Të Dhëna dhe Vizualizim dhe Tematika të Veçanta.
Secila prej këtyre kategorive trajton aspekte të ndryshme të gazetarisë siç janë bazat, verifikimi, siguria, gazetari të dhënash, mbulim mediatik të zgjedhjeve, machine learning në gazetari, raportim biznesi, raportime investigative etj.
Por në këtë artikull do të ndalemi specifikisht tek një prej mjeteve më të rëndësishme nga burimet e Google News Initiative siç është Verifikimi. Ky trajnim përmban disa metoda dhe mjete dixhitale të cilat ndihmojnë përdoruesit dhe gazetarët të verifikojnë autenticitetin dhe saktësinë e imazheve, videove dhe raportimeve gjendur në median sociale dhe në ueb.
Duke vënë në përdorim Google Search, YouTube, Google Chrome, Google Earth dhe Google Translate, ky trajnim përmban 7 leksione prej 45 minutash në total të cilat duhet të ndiqen secila përpara se të mund të ndërmerrni një kuiz për të provuar aftësitë e fituara gjatë tij.
Përdoruesit do të mësojnë rreth verifikimit të fakteve, të rezultateve të kërkimit në Google, të rezultateve të kërkimit në Google Image Search, të shtojcave të Chrome, të vendndodhjeve në Google Earth dhe të përmbajtjeve të përkthyera në 100+ gjuhë të ndryshme në Google Translate.
Me tu përfunduar leksionet e këtij trajnimi mund të merrni pjesë në kuizin ndërsa resurset e vëna në dispozicion janë të përshtatshme për çdo përdorues fillestar.
E nisur si Digital News Initiative në Evropë, Google lançoi programin News Initiative me synimin për të zgjeruar përpjekje të tilla në mbarë botën.
Luftimi i keqinformimit në produktet dhe shërbimet e kompanisë janë shndërruar në një sfidë për Google nga rezultatet e kërkimit të Google Search tek videot konspiracioniste në YouTube.
Për të elaboruar mjetet të tjera krahas Verifikimit, ju ftojmë të vizitoni këtë lidhje: https://newsinitiative.withgoogle.com/resources/journalism/.
Google vijon të shtojë mjete dhe resurse të reja duke pasuruar më tutje inicitativën e saj të mbështetjes së gazetarisë./PCWorld Albanian