TIRANË– Qeveria shqiptare ka miratuar rritjen e pagave për disa sektorë, konkrtetisht në shëndetësi, arsim dhe në fushën e sigurisë. Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj u shpreh se qeveria mori vendimin që të rrisë edhe pagat e punonjësve mbështetës të administratës publike.

“Miratuam një projektligj të rëndësishëm, konkretisht për përcaktimin e pagave. Sot kemi filluar dhe miratuar disa projektvendime për rritjen e pagave për sektorin shëndetësor, arsimor dhe sigurisë, konkretisht për policinë e burgjeve, gardën dhe zjarrfikësit. Në zbatim të vendimit të marrë më parë, nga 1 prilli do të rriten edhe pagat e punonjësve mbështetës të administratës publike.”, tha Ibrahimaj.

Gazetarja e ABC News, Esiona Konomi, pyeti ministren se ku do merren këto para për të mbështetur reformën për rritjen e pagave, për këtë ministrja u shpreh:

“Kostoja vjetore, në vitin 2025, e kësaj reforme është në nivelin 38 miliardë lekë. Këto fonde janë parashikuar qoftë nga rritja e të ardhurave, qoftë nga rialokimet e brendshme. Janë kosto që përballohen brenda sistemit makrofiskal. Ne do vijojmë të ulim borxhin dhe defiçitin. Për 2023 kishim parashikuar politikë të rritjes së pagave dhe kishte vlerë 2.4 miliardë lekë që prekte arsimin, shëndetësinë dhe fushën e IT. Rritja e pagave vjen edhe si pasojë e krizës inflacioniste, pra janë disa zëra të parashikuara në buxhet që akomodojnë rritjen e pagave dhe koston shtesë të parashikuar për këtë vit”, tha Ibrahimaj.