Qeveria ka miratur fondin prej 57,5 milionë lekësh për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut.
Ministria e Kulturës ka publikuar lajmin e vendimit të qeverisë këtë javë për miratimin e fondit për të shpëtuar një trashëgimi të arkitekturës siç është ura e Zogut mbi lumin Mat.
“Një lajm i mirë për trashëgiminë kulturore, për komunitetin dhe në veçanti për një objekt të rëndësishëm infrastrukturor dhe monumental siç është Ura e Matit apo siç njihet: Ura e Zogut”, thekson Ministria e Kulturës.
“Në mbledhjen më të fundit të Qeverisë u miratua fondi prej 57,5 milionë lekësh, që mundëson zbatimin e projektit për ndërhyrjen emergjente në të këtë objekt, i cili pësoi dëmtime të rënda për shkak të reshjeve të disa muajve më parë.Ka qenë një proces intensiv pune, me shkëmbime idesh, punë në terren, çka nuk ka qenë aspak e lehtë për shkak të kushteve të vështira atmosferike” thuhet në njoftim.
“Pas miratimit në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale të projektit të ndërhyrjes emergjente në Urën e Matit, nën kujdesin e zv.kryeministres, Belinda Balluku, u mblodh dhe u angazhua Komiteti Mbrojtjes Civile, me qëllim sigurimin e fondit të nevojshëm për zbatimin e tij.Projekti është rezultat i një pune profesorësh e ekspertësh të nderuar të Fakultetit të Inxhinierisë në Universitetin Politeknik dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që me urdhrin e kryeministrit, u bënë bashkë për hartimin e projektit, brenda një kohe të shkurtër me shumë përgjegjësi e profesionalizëm”, njofton Ministria e Kulturës.
Po ashtu, Ministria e Kulturës shton se, miratimi i projektit u parapri nga vendosja e pajisjeve monitoruese, për të mundësuar të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit.
Në grupin e punës u bënë pjesë profesorët e nderuar Markel Baballëku, Neritan Shkodrani, Iralda Xhaferraj, Esmerald Filaj, Ervin Paçi, Rikard Luka, Altin Seranaj, Andrin Kërpaçi, Shkëlqim Daja.
Ministria e Kulturës ka pasur takime dhe konsultime të vazhdueshme edhe me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, të cilët janë treguar të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre, duke shprehur konsiderata për këtë operacion të ndërmarrë përgjatë muajve të fundit.
Miratimi i këtij fondi, jo vetëm mundëson ndërhyrjen emergjente, por krijon kushtet për zgjidhjen përfundimtare të problematikës në Urën e Matit
Ura e Matit është inauguruar më 26 maj 1927 dhe është projektuar nga inxhinieri zviceran, Erwin Schnitter.
Ura është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernët për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj dite nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën.