Nga Eco Park, aty ku zhvilloi intervistën për Report Tv, Sako u ndal te çështjet më të rëndësishme të qytetit që sipas saj po marrin vëmendjen maksimale nga bashkia.

“Ajo që ka nevoja qyteti i Durrësit të paktën nga feedback që marr nga takimet që zhvilloj me qytetarët është pjesa e banesave sociale, do të ndërhyjmë më një projekt dhe realizim konkret ne mandatin që na pret, ka shumë familje dhe çifte të reja, familje në nevojë nuk kanë kushte ekonomike për të blerë banesë dhe që drejtohen në bashki për strehim social, është në planin e mandatit që vjen për ta realizuar këtë”- u shpreh Sako.

Kryebashkiakja e qytetit bregdetar dhe njëherazi kandidatja e PS për këtë bashki në zgjedhjet e 14 majit, njoftoi se falë investimeve të reja në qytet do të zgjidhet njëherë e mirë edhe problematika e trafikut.

“Trafiku është një tjetër çështje që shqetëson qytetarët, me disa projekte që kemi nisur por edhe ato që na presin në vijim themi se do ta adresojmë edhe këtë problematik duke bërë të mundur zgjidhjen e parkimeve për rezidentët në zonat e blloqeve të banimit por dhe ndërtimin e një parkingu publik i cili është një projekt që ka nisur zbatimin në hyrjen e rrugës paralel më rrugën e portit më fond të qeverisë shqiptare”, tha Sako.

Sako u shpreh se është në planin e bashkisë së Durrësit të pajisë me kamera sigurie vijën bregdetare duke nisur që nga shkëmbi i Kavajës e deri të Gjiri i Lalzit, kryesisht aty ku ka fluks më të lartë turistësh, në mënyrë që të ofrohet siguri maksimale.