Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton e 7 vota pro dhe 3 kundër ndryshimet në ligjin për mbështetjen e start up-ve në teknologjinë e informacionit.

Ligji i ri parashikon që nomadët digjital të mos jenë rezidentë tatimor për 1 vit. Po ashtu parashikohet ngritja e një agjencie të dedikuar mbi start up-et e cila është Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve apo STARTUP Albania.

Gjatë diskutimeve, opozita ngriti shqetësim për mënyrën se si do të funksionoj nomadi digjital. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Helidon Bushati, përjashtimi nga skema tatimore dhe lehtësimi i procedurave mund të sjell nxitjen e skemave të mashtrimit nga ana e këtyre individëve që do zgjedhin të aplikojnë si nomad digjital në vendin tonë.

Por Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, sqaroi se aplikuesit do kalojnë një filtër të pastërtisë së figurës dhe garantoi se i vetmi favor do të jetë përjashtimi nga sistemi tatimor për 1 vit, por ata do ti nënshtrohen respektimit të ligjeve të vendit tonë.

“Ne shpresojmë që nomadët digjital, 1 vit pasi të kenë punuar në Shqipëri, të jenë njohur me mjedisin miqësore për binzesin, teknologjinë dhe facilitetet e tjera, të investojnë në vendin tonë”, tha Bilali.

Kujtojmë se qëllimi i ligjit të Start Up-eve është krijimi i një kuadri rregullator për zhvillimin e startup-eve në dobi të zhvillimit ekonomik. Po ashtu përcakton kriteret bazë dhe procedurat për zhvillimin, monitorimin e startup-eve dhe lehtëson hyrjen në treg të bizneseve me ide inovatore.