E hëna e 3 prillit do të shohë ardhjen në Tiranë të zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Frans Timmermans, i cili është i ngarkuar i posaçëm i Bashkimit Evropian sa i takon marrëveshjes për agjendën e gjelbër dhe ligjet evropiane mbi klimën.
Me një qëndrim dyditor në vend, Timmermans pritet të zhvillojë takime me rëndësi dhe të shtyjë çështje si tranzicioni i gjelbër në Ballkan, përmirësimi i klimës së turizmit dhe hapat që duhen ndërmarrë nga ndryshimet klimatike.
Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Komisioni Evropian, zëvendëspresidenti do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Turizmit, si edhe do të zhvillojë takime me përfaqësues qeveritarë dhe sipërmarrës.
Mbrojtja e mjedisit, së bashku me energjinë e gjelbër, do të jenë çështje madhore për Timmermans, duke parë edhe zhvillimin që Shqipëria ka në të dy sektorët, me burimet hidrike, si edhe me shpalljen së fundmi si Park Kombëtar, të lumit Vjosa.
Ditën e parë, Zëvendëspresidenti Ekzekutiv do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ai do të takohet gjithashtu me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së, Zurab Pololikashvili dhe do të ketë një tryezë të rrumbullakët me organizatat e shoqërisë civile mjedisore.
Në mbrëmje ai do të mbajë një fjalim kryesor në Forumin Ndërkombëtar të Turizmit “E ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri (FESTA)” .
Më tej, të martën, ai do të ketë takime me Kryetaren e Komisionit të Integrimit në BE pranë Kuvendit të Shqipërisë, Jorida Tabaku.
Ai do të vizitojë gjithashtu shkollën “Dhosi Liperi” në qytetin e Durrësit, e cila është pjesë e programit ‘EU4Schools’, të financuar nga BE-ja, i cili fokusohet në përshpejtimin e procesit të rimëkëmbjes pas tërmetit të nëntorit 2019, përmes riparimeve dhe rindërtimit të shkollave.
Vizita e zyrtarit të lartë do të përmbyllet me një turne në fermën Bonum Agroturizem të financuar nga BE-ja.