Kryeministri Edi Rama ishte këtë të shtunë në Kavajë për çeljen e fushatës në këtë qytet. Ai u shpreh se pala tjetër funksionon si bandë grabitqarësh dhe nuk iu besohet pushteti.

“Që 30 vite qysh kur ka zgjedhje demokratike vendore në Shqipëri nuk kanë mundur të krijojnë një shembull të vetëm se dinë të kujdesen për një bashki, dinë të kujdesen për një qytet, dinë të kujdesen për një fshat. Më kujtohet që kur Kavaja u kthye përsëri në duart e tyre, të vetmet probleme që patëm ne me Kavajën nuk ishin më si të financojmë një projekt më shumë, si të bëjmë një kopësht më shumë, si të bëjmë dhe një shkollë më shumë, si të hapim dhe një tjetër hapësirë të gjelbër, si të krijojmë diçka të re, si të kemi edhe më shumë pastërti në bregun turistik të Kavajës, por të vetmet probleme që kishim ishin lejet në rërë. Lejet e dhëna në kundërshtim me çdo ligj, në kundërshtim me çdo interes publik, në kundërshtim me çdo sens të së bukurës dhe të ardhmes. E vetmja gjë që mbaj mend në ato vite kur ata e rimorën Kavajën, ishte se si përsëri Bashkia e Kavajës u vu në dispozicion të një grupi që funksion si tamam si bandë grabitqarësh kudo dhe kurdoherë atyre iu besohet pushtet. Kjo është e vërteta. Siç është e vërtetë që Kavaja u rikthye te pisllëku, as plehrat nuk mblidheshin më”, tha Rama.

Kryesocialisti Rama i bëri thirrje demokratëve që të votojnë për ata që punojnë ndërsa hodhi akuza ndaj opozitës.

“Dy hije që nuk e duan Kavajën për ta bërë më të bukur se kur e kishin vetëm e shëmtuan dhe e degjeneruan. Nuk i duan bashkitë për ti bërë më të bukura, se sa herë u kanë rënë në dorë i kanë shëmtuar dhe degjeneruar”, tha Rama.

Ai mori shembull Shkodrën që sipas tij, një prej kryeqendrave të Shqipërisë nuk ka përparuar sepse besimi për ta drejtuar i është dhënë palës tjetër.

“Kush ia jep votën atyre i pret vetes biletën për të ecur mbrapsht”.

Sipas kryeministrit tashmë nuk duhet ndaluar puna që është nisur dhe demokratëve iu drejtua duke u thënë se “është mbytur anija”.

“Si ta ndalojmë tashi? Për çfarë? Për paratë ruse ta ndalojmë? Se janë llafe, janë llafe, por u bënë si shumë llafe, tani po dalin dhe kontot bankare që po vijnë si ato shishet që sjell deti kur mbytet anija. Se anija është mbytur atje. Vetëm këtu në Kavajë dhe në ca vende të tjera nuk e kanë marrë vesh akoma. O është mbytur anija! O demokratë, është mbytur anija! Ça do bëni tashi? Robinson Kruzo këtu i vetëm?”, u shpreh Rama

Sa i përket fushatës që ka zgjedhur të bëjë PS, ai u shpreh: Ne do ikim, të gjitha do harrohen, por pemët do ngelin. Po ashtu, në lidhje me këtë ai përmendi edhe fjalët e profetit Muhamed se kush mbjell një pemë bën një mirësi të madhe.