Aishe Haklaj, motra e madhe e familjes Haklaj ka ardhur nga Suedia dhe është paraqitur në SPAK, ku po merret në pyetje nga prokurorët e Posaçëm. Report Tv mëson se ajo po pyetet lidhur me denoncimin që ka bërë në SPAK në korrik të 2021, ku akuzon ish kryeministrin Sali Berisha për vrasjen e 4 vëllezërve të saj, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj.

E vetme, e pa shoqëruar nga një avokat, Aishe Haklaj ka mbërritur në ambientet e SPAK rreth orës 08:30 e ndërsa dëshmia vijon prej 2 orësh. Kjo është hera e parë që Aishe Haklaj merret në pyetje në cilësinë e kallëzues për këtë padi.

Ajo po merret në pyetje nga kreu i SPAK, Altin Dumani që është edhe prokuror i kësaj çështjeje dhe prokurorja tjetër, Elida Kaçkini. Kulla e Haklajve u braktis përfundimisht në fund të vitit 2006. Babai, Muharremi, dhe djali i vetëm i mbetur gjallë Hamdiu nuk janë parë më në ato anë. E gjithë familja, ka nisur një jetë të re në Suedi, ku kanë fituar azil politik. Një ditë më parë motra e vogël, Zylfije Haklaj postoi foto ku tha se i është dëmtuar varri i vëllai të saj, Fatmir Haklajt. Nuk dihet nëse ky ishte një mesazh për atë që pritej të ndodhte ditën e sotme, teksa vetë e motra thotë e prisnin që do e bënin një gjë të tillë.

Kallëzimi penal

Në kallëzimin për SPAK, avokati Idajet Beqiri shprehet se për të zbardhur shfarosjen e fisit Haklaj në Tropojë, kallëzuesit Muharrem Haklaj dhe Ajshe Haklaj kanë në duar shumë prova, fakte, dokumente, video, pamje filmike dhe shumë dëshmitarë okularë që fundosin ish-kryeministrin Sali Berisha. Përveç Berishës, në SPAK janë denoncuar dhe emra të tjerë që sipas Muharrem Haklaj dhe Ajshe Haklaj kanë lidhje me vrasjet e vëllezervë dhe familjarëve të tyre. Ata janë gati të dëshmojnë dhe të provojnë se 16 persona kanë kryer disa vrasje të rënda me paramendim dhe hakmarrje në kuadrin e Bandës së Armatosur, si dhe kanë kryer akte terroristë etj. Sipas kallëzimit penal, kërkohet fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve, për kryerjen e veprave penale të: “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga Neni 78/2 i Kodit Penal; “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, parashikuar nga neni 333 i Kodit Penal (Viti 1995); “Kryerja e krimeve nga banda e armatosur dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal (1995); “Aktet terroriste”, parashikuar nga neni 230 i Kodit Penal.