Një e afërme e Edmond Haxhiajt, porositësit të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj ka ndihmuar hetuesit në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së rëndë, përmes dëshmisë së saj.

Gazetari i ABC News, Ermal Vija raportoi se dëshmia e vajzës ka ndidhmuar hetuesit në zbulimin e grupit kriminal që ishte paguar nga Haxhia.

Ky i fundit dhe një nga shtetasit anglezë, që vëzhgonte lëvizjet e Nikulajt, janë larguar nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit më 19 prill, ditën kur ndodhi ekzekutimi.

Ndërsa, autori, shtetasi portugez Ruben Saraiva është larguar në territorin grek duke kaluar pikën kufitare të Kapshticës.

“Sipas të dhënave të sistemit TIMS, Edmond Haxhia dhe shtetasi anglez kanë lëvizur ditën e ngjarjes më 19 prill, drejt aeroportit të Rinasit për t’u larguar. Ndërsa, shtetasi portugez nga dalë nga republika shqiptare një ditë më pas, drejt territorit grek përmes pikës kufitare të Kapshticës. Policia ende nuk ka asnjë person të arrestuar. Përveç identifikimit të personave, zbulimit të kamerave të sigurisë, një tjetër person që ka ndihmuar hetuesit, është një vajzë që rezulton një lidhje e afërt me Edmond Haxhiajn, që ka treguar edhe disa detaje të tjera që më pas i kanë çuar hetuesit në zbulimin e grupit kriminal”, raportoi gazetari Vija.

Për ekzekutimin e Nikulajt, janë shpallur në kërkim Edmond Haxhia, portugezi Ruben Saraiva dhe 4 britanikët, Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman.