E pyetur për problematikat e raportuara në media sa i takon përdorimit të burimeve publike në fushatë zgjedhore në favor të qeverisë, aktuale, Shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Audrey Glover u shpreh se kjo është një fushë të cilës do t’i kushtohet shumë rëndësi gjatë misionit të vëzhgimit.

“Në një raport kjo fushë është identifikuar si një nga fushat më me rëndësi për t’u vëzhguar. Dhe ne do i kushtojmë shumë kujdes vëzhgimit të kësaj fushate”- u shpreh Glover.

Ajo gjithashtu u pyet për mundësinë e takimit me Sali Berishën edhe pse ky i fundit është shpallur non-grata. Glover u shpreh se është e hapur të takojë këdo që merr pjesë në procesin zgjedhor.

“Do isha e lumtur të takohesha me këdo që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor”- u përgjigj Glover.

Kujtojmë se në zgjedhjet e vitit 1996 që u mbyllën me fitoren e PD, të cilat shefja e OSBE-ODIHR i cilësoi si ndër më negativet, Berisha asokohe president, e shpalli këtë të fundit “non-grata” duke lëshuar akuza të rënda drejt saj.