Spanja ka nisur zyrtarisht zbatimin e kontrolleve të rastësishme kufitare për të gjithë udhëtarët që mbërrijnë nga Italia, një masë e përkohshme që ka hyrë në fuqi nga mesnata dhe do të zgjasë deri më 7 shtator. Sfondi i këtij vendimi lidhet me shqetësimet mbi menaxhimin e rrymave të emigracionit të paligjshëm që hyjnë në hapësirën e Bashkimit Evropian përmes territorit italian.
Kontrollet përfshijnë verifikimin e kartave të identitetit ose pasaportave për shtetasit e BE-së, si dhe dokumentacionin e qëndrimit apo vizave për shtetasit e vendeve të treta. Sipas autoriteteve spanjolle, masat prekën aeroportet kryesore si Madridi, Barcelona, Malaga, Sevilja, Valencia, Alicante, Palma dhe Ibiza, si dhe portet mesdhetare që presin anije turistike.
“Italia është një pikë e nxehtë për emigracionin e paligjshëm. Ne kontrollojmë vetëm pasagjerët që dyshojmë se kanë hipur në një aeroplan nga Italia, burojnë nga jashtë BE-së dhe synojnë të hyjnë në Spanjë”, deklaruan burime policore për të përditshmen spanjolle El País.
Zbatimi i masave ka krijuar përvoja të ndryshme mes pasagjerëve që kanë zbarkuar në aeroportin El Prat të Barcelonës. Ndërsa disa fluturime janë i nënshtruar verifikimeve më rigoroze, të tjerat kanë kaluar pa procedura shtesë.
“Me të mbërritur, policia na ndau në dy grupe. Ata u kërkuan italianëve dokumentet e tyre. Shpresoj që kjo situatë të përfundojë së shpejti”, tregoi Giovanni, një udhëtar që u nis nga Roma drejt Barcelonës.
Nga ana tjetër, pasagjerë që udhëtuan nga Roma apo Bolonja raportuan procedura më lehtësuese ose mungesë të plotë kontrollesh, çka konfirmon se Policia Kombëtare e Spanjës po operon mbi bazë përzgjedhëse e rastësore.
“Diçka shumë e çuditshme ndodhi. Me të mbërritur, policia na pyeti se çfarë po bënim në Spanjë. U tregova atyre kartën time të identitetit dhe më lanë të shkoja. Ata që nuk kishin dokumente spanjolle u çuan në një dhomë për t’u identifikuar”, rrëfeu Jorge Villoslada, një udhëtar spanjoll.
Reagon Brukseli: Besimi midis shteteve është pasuria më e çmuar
Zhvillimet kufitare mes dy vendeve anëtare të zonës Schengen kanë nxitur ndërhyrjen e menjëhershme të Komisionit Evropian. Komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, zhvilloi biseda me ministrat e Brendshëm të Spanjës dhe Italisë për të garantuar se këto masa nuk do të cenojnë parimet e lëvizjes së lirë.
Përmes një reagimi publik, Brunner konfirmoi se kufizimet mbeten strikt të përkohshme dhe bëri thirrje për ruajtjen e bashkëpunimit dypalësh.
“Të dy konfirmuan se kontrollet e kufijve të brendshëm janë të përkohshme. Unë nënvizova progresin e bërë në luftën kundër imigracionit të paligjshëm dhe se besimi midis Shteteve Anëtare është pasuria jonë më e çmuar”, deklaroi Komisioneri Brunner.
Sipas deklaratave të zyrtarëve në Madrid, afati i masave (7 shtator) mund të modifikohet ose ndërpritet më herët, nëse kjo arsyetohet nga ndryshimi i rrethanave të sigurisë dhe menaxhimit të flukseve emigratore.










