Kryebashkiaku Erion Veliaj ka komentuar premtimin e Berishës dhe Metës për transportin publik falas në Tiranë. Gjatë një interviste në RTSH, ai tha se Berisha ka rastin ta zbatojë këtë projekt në Bashkinë e Shkodrës, e cila drejtohet nga kandidati i tij.
“Shkodrën e drejton opozita. Tani më duket sikur kjo opozitë ka 2 programe: një program e ka për ata që janë rrejt tashmë, dhe një program për ata që do t’i rrejë. Se për Shkodrën nuk thotë njeri gjëra falas. Se e kanë Shkodrën, le ta bëjë falas. Një linjë autobusi ka në Shkodër, bëje falas atë. Pra, pyetja është, të na tregojnë këta ne një qytet, ku këto ide marksiste i kanë zbatuar me kaq shumë sukses, edhe ne do kopjojmë qytetin tyre më të mirë”, tha Veliaj.
Ai hodhi poshtë deklaratën e Berishës dhe Metës se realizimi i transportit publik falas kushton 17 mln euro. Veliaj citoi ekspertët gjermanë, duke përmendur kostot e tjera që merr realizimi i këtij projekti. “Ekspertët gjermanë thonë se kushton 114 milionë euro, sepse ti ndërkohë nuk paguan vetëm biletën, kompanitë paguajnë edhe overdraft-et që kanë marrë. Por ajo që jam duke të thënë është: Tirana ka 20 linja, Shkodra ka 1, ta bëjnë falas atje. Pra, kur ti e di që nuk do fitosh, ti mund të thuash çmenduri të çdo lloji. Unë do duhet ta ruaj cipën, sepse në datë 15 maj do më kërkosh prapë çfarë do bëj pas fitores. Kështu që, unë planifikoj që në datë 15, siç jemi sot në ditë pushimi dhe unë jam në punë, më datë 15 maj planifikoj të kthehem prapë këtu”, u shpreh Veliaj.