Projekti për ndërtimin e tre moleve turistike në Shkodër, i cili ka hyrë tashmë në fazën e zbatimit konkret është një mundësi e re për zhvillimin turistik të zonës, me krijimin e infrastrukturës së nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës – Shirokës – Zogajt dhe Vir Pazarit. Kryeministri Edi Rama, i cili sot ishte në Shkodër, vizitoi njërin prej moleve të planifikuara për lundrimin me varka.
“Ky është një nga tre molet. Një është në Zogaj, këtu është i Shirokës, kemi dhe atë të Shkodrës. Është e gjitha e lundrueshme sipas nivelit të ujit. Pjesë e projektit janë tre varka. Po kështu është edhe në Zogaj edhe në Shkodër. Kështu që kemi tre stacione lundrimi. Tani do fillojnë dhe varkat. Duhen iniciuar nga Bashkia”, shpjegoi kandidati për kryetar bashkie i Shkodrës Benet Beci.
Ndërkohë, kryeministri Rama e vlerësoi projektin si një vlerë e shtuar në zinxhirin ekonomik të zonës që mund të tërheqë shumë turistë të apasionuar pas lundrimit.
“Nëse na japin këtë mundësi duhet një mundësi e vogël e bashkisë me disa varka që të fillojë të nxisë të gjithë e të jetë kryevepër, të ketë lundrim”, u shpreh kryeministri Rama, teksa vërejti një problematikë shqetësuese të bashkisë së Shkodrës që janë mbeturinat e lëna vend e pa vend, e në rastin konkret, shumë pranë kësaj zone, të frekuentuar nga turistët e ku po zhvillohet një projekt i rëndësishëm për qytetarët.
“Shiko sa plehra ka vetëm në 100 metra. Është habi e madhe. I kanë pastruar dhe i kanë lënë aty prapë se s’dinë ku t’i çojnë”, tha Rama.