Në Pallatin e Kongreseve ka nisur Forumi Ndërkombëtar i Turizmit, me pjesëmarrjes nga 38 vende të botës, për të diskutuar rreth së ardhmes së turizmit mjedisor dhe të qëndrueshëm në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryeministri Rama u shpreh se: “ Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut, kështu thotë kodi i shqiptarit. Kështu ndjehuni edhe ju pjesëmarrës, zotër në shtëpinë tonë dhe shijojeni dallimin e skajshëm të stereotipit të Shqipërisë në mediat tuaja dhe perceptimit të vetë shqisave tuaja për vendin ku keni ardhur sot. Ju siguroj se ky që shikoni është i vërteti kurse vendi i mafies, drogës, varfërisë ekstreme, është pjesërisht një vend që e kemi lënë pas në të shkuarën dhe pjesërisht që e mbajnë gjallë gojët dashakeqe vendase dhe të huaja.”
Kryeministri shtoi se: “Një tjetër dëshmitar i shndërrimit të Shqipërisë ndaj asaj që shihet nga larg dhe asaj që është në të vërtetë është historiania e BBC, e cila meriton falënderimet e popullit shqiptar, për të cilin nuk janë ditë të mira në kanalin e BBC.”
“Patjetër që Shqipëria nuk është sot një vend pa probleme, përkundrazi është në betejë të përditshme me plagë të trashëguara. Mos harroni kur fqinjët, si Greqia kishin miliona turistë, Shqipëria kishte rreth 2 mijë e 500 turistë në vit që të gjithë ishin marksistë dhe leninistë. Po ashtu edhe me problemet që i sjellë koha e re që janë sfiduese. Shqipëria mund të mos jetë akoma e aftë të ofrojë atë që duan shumë shqiptarë që duan të largohen, megjithatë është një vend shumë i bukur në dukje dhe në thelb.”