Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pasi doli nga spitali si pasojë e një ndërhyrje që pati ditën e djeshme për heqjen e apandesitit. Kreu i qeverisë falenderon të gjithë ata që janë interesuar për shëndetin e tij dhe thotë se do të kthehet shumë shpejt. Ai falenderon ndër të tjera ekipin mjekësor që realizoi operacionin, ndërsa njofton se protokollin e rikuperimit do ta vazhdojë nga shtëpia.

“Një falenderim nga zemra kujtdo prej jush që këto ditë është interesuar për shëndetin tim. Falë ekipit të përkushtuar mjekësor dhe pas ndërhyrjes së suksesshme, sot e lashë spitalin për të vazhduar protokollin e rikuperimit në shtëpi dhe pa mundur të gjej dot fjalët e mjaftueshme për t’i falenderuar mjekët e infermierët për përkujdesjen e tyre. Besoj se do të kthehem shpejt mes jush dhe edhe njëherë shumë faleminderit për mbështetjen tuaj. Ju dua shumë, Edi”, shkruan kryeministri.

Kreu i qeverisë la sot në orën 06:00 ambientet e QSUT-së. Ditën e djeshme ai iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e apandesitit akut. Ndërhyrja u krye përmes laparoskopisë.

Kryeministria njoftoi se operacioni u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë në QSUT.

Në një deklaratë për mediat, Shefi i Kirurgjisë në QSUT Arben Gjata u shpreh të hënën se gjendja post operatore e kryeministrit ishte stabël duke shtuar se ai mund të rikuperohet plotësisht për 3 ditë.