Kryeministri, Edi Rama ka zhvilluar një takim me biznesmenë në Malësinë e Madhe të cilëve u ka bërë thirrje që të investojnë në vendin e tyre sepse qeveria do t’i mbështesë në mënyrë që të rriten fitimet, duke u përqendruar më së shumti tek turizmi.

Duke theksuar nevojën e këmbënguljes dhe guximit, Rama tha se kushdo që ka një projekt dhe ide për ta zbatuar, do të ketë mbështetjen e qeverisë. Kreu i qeverisë tha se zonës nuk i mungonte asgjë krahasuar me Zvicrën dhe se kishte shumë projekte të tjera që do ta kthenin Malësinë e Madhe në një destinacion turistik të jashtëzakonshëm ku turistët të jenë të shumtë çdo sezon për të bërë ski në alpe.

“Kjo zonë, mund të bëhet një destinacion turistik i jashtëzakonshëm masiv. E kam fjalën me shumë hotele, shumë njerëz që vijnë për ski. Jam i bindur që kjo që po bën edhe Gëzimi që kam këtu do jetë një model për të tjerë për ta ndjekur. Këtu nuk mund të bësh pallate e hotele, sepse shkatërron atë që është forca e zonës, sepse ktu nuk vijnë për pallate por për natyrë”-tha Rama.

Sipas tij, investime të tilla janë e ardhmja dhe se do të sjellin të ardhura që nuk do të mund të siguroheshin kurrë duke punuar në emigracion.

“Nesër këto investime janë e ardhmja dhe do sjellin të ardhura që kurrën e kurrës nuk i bën dot njeriu duke punuar në emigracion duke punuar për të tjerët. Kush guxon dhe ka këmbnguljen të cojë përpara një projekt neve na ka në krah”- shtoi kryeministri.

Ai tha se së shpejti do të gjejë zgjidhje edhe problemi që i ka penguar shumë persona të investojnë, problemi i pronës për të cilin theksoi se do të ketë një task forcë të veçantë që do të pajisë me dokument pronësie banorët të cilët nuk kanë pranuar ligjin 7501 por nuk kanë asnjë konflikt me njëri tjetrin për kufijtë e tyre.

Sa i takon mundësive të reja të biznesit, Rama tha se agropërpunimi është një mundësi e mirë, pasi ka bimë medicinale të këtyre zonave që po eksportohen në vende të ndryshme të botës.

“Janë edhe bimët mediclane që po bëhen industri gjithmonë e më seioze dhe po eksportohen kudo. Është agropërpunimi, kemi fabrika këtu që janë shembuj fantastikë”-përfundoi ai.