Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit me 6.3 pikë në muajin mars. Vrojtimi mujor i Bankës së Shqipërisë tregoi se, pas stopimit në muajin shkurt, treguesi i besimit iu kthye rritjes në të gjithë sektorët e biznesit dhe te konsumatorët. Treguesi i ndjesisë ekonomike aktualisht qëndron 13.5 pikë mbi mesataren e vet afatgjatë.

Treguesi i besimit të industrisë u rrit me 5.3 pikë përqindjeje në muajin mars, falë vlerësimeve pozitive për ecurinë e prodhimit dhe kontratave porositëse, kryesisht nga eksportet. Niveli i këtij treguesi është aktualisht 11.7 pikë përqindjeje mbi mesataren historike. Bizneset që operojnë në sektorin e industrisë kanë rritur pritshmëritë e tyre për prodhimin dhe punësimin në të ardhmen. Ndërkohë, pritjet e tyre për çmimet e shitjes në të ardhmen kanë vazhduar tendencën rënëse.

Treguesi i besimit të sektorit të ndërtimit u rrit me 3.5 pikë në mars, duke arritur nivelin më të lartë historik. Ky tregues është 28.4 pikë mbi mesataren afatgjatë. Rritja e regjistruar në muajin mars u nxit nga vlerësimet më të larta të bizneseve si për aktivitetin e tyre aktual, ashtu edhe për kontratat porositëse. Bizneset që operojnë në ndërtim ruajtën të pandryshuara pritshmëritë për punësimin, ndërsa kanë rishikuar për poshtë pritjet për çmimet e shitjes në të ardhmen.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve u rrit me 9.1 pikë përqindjeje në muajin mars. Niveli aktual i indeksit të besimit në këtë sektor qëndron në nivelin më të lartë historik, rreth

19.3 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Të dy komponentët e treguesit, performanca aktuale e biznesit dhe niveli i kërkesës, u rritën ndjeshëm. Ndërkohë, edhe bizneset i kanë përmirësuar pritshmëritë për ecurinë e kërkesës në të ardhmen. Pritshmëritë e tyre për performancën e çmimeve në të ardhmen nuk kanë shënuar ndryshime të rëndësishme krahasim me muajin e kaluar. Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë u rrit me 5.1 pikë përqindjeje në mars, kryesisht falë vlerësimeve mjaft optimiste të bizneseve për ecurinë e biznesit. Gjithashtu, pritjet për punësim janë rritur gjatë kësaj muaj, por në një shkallë më të ulët se komponenti i parë.

Niveli aktual i treguesit të besimit në tregti qëndron 11 pikë përqindjeje mbi mesataren historike. Pritjet për ecurinë e biznesit në të ardhmen dhe punësimin janë rritur lehtësisht në muajin mars, ndërsa pritshmëritë për çmimet e shitjes në e ardhmja vlerësohet në rënie. Treguesi i besimit të konsumatorit vazhdoi tendencën pozitive të muajve të fundit, me një rritje prej 3.8 pikë përqindjeje në muajin mars.

Niveli i tij aktual qëndron afër mesatares historike, për herë të parë që nga shtatori i vitit 2021. Përmirësimi i treguesit të besimit konsumator u përcaktua nga pritshmëritë më të mira në lidhje me situatën e përgjithshme ekonomike dhe financiare, si dhe blerjet e mëdha në të ardhmen. Pritjet e konsumatorëve për ecurinë e përgjithshme të çmimeve në të ardhmen kanë pësuar rënie gjatë muajit mars.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.