Rritja e popullsisë me 8 miliardë njerëz në të gjithë botën, i parashtron sot ekspertëve të shëndetit, shoqërisë dhe medias një qasje tjetër; Jo atë të numërimit të popullsisë në raport me shifrat, por se sa të lira janë gratë në zgjedhjet e tyre riprodhuese. Raporti vjetor i UNFPA-së tregoi rritjen me 8 miliardë persona në të gjithë botën por më shumë se sa një analizë për rritjen apo reduktimin e lindshmërisë, synon të nxisë një rishikim radikal se si vendet do t’i përgjigjen ndryshimeve demografike dhe mbi të gjitha se sa të lira janë gratë të bëjnë zgjedhjen e tyre riprodhuese.
“Trupat e grave nuk duhet të mbahen rob të objektivave të popullsisë,” thotë Drejtoresha Ekzekutive e UNFPA, Dr. Natalia Kanem. “Për të ndërtuar shoqëri të lulëzuara dhe gjithëpërfshirëse, pavarësisht nga numri i popullsisë, ne duhet të rimendojmë rrënjësisht se si flasim dhe planifikojmë ndryshimin e popullsisë.”
Gjetjet e fundit të raportit vjetor të UNFPA tregojnë se 44 % e grave dhe vajzave me partnerë në 68 vende raportuese, nuk e kanë të mundur të marrin vendime të informuara për trupin e tyre, kur bëhet fjalë për seksin, përdorimin e kontracepsionit dhe kërkimin e kujdesit shëndetësor. Rreth 257 milionë gra në mbarë botën kanë një nevojë të paplotësuar për kontracepsion të sigurt dhe të besueshëm.
Në vendet të cilat ndeshet një situatë ku lindshmëria ka rënë dukshëm, UNFPA iu rekomandoi vendeve respektive më shumë politika inkurajuese dhe stimuj financiar për nënat e reja.
Gjithësesi, nëse analizojmë statistikat evidentojmë se normat e lindjeve mbeten të ulëta; nën dy fëmijë për grua. Gjithashtu, në raportet e saj UNFPA nuk dakordëson asnjë përpjekje për të ngadalësuar rritjen e popullsisë përmes sterilizimit të detyruar dhe kontracepsionit shtrëngues që kanë shkelur rëndë të drejtat e njeriut.
Politikat sociale, nismat e ndryshme qeveritare dhe ato jo qeveritare mbështesin planifikimin familjar, por në anën tjetër nuk duhet të përdoren si mjete për arritjen e objektivave të fertilitetit. Më së shumti planifikimi familjar është parë si një mundësi për fuqizimin e individëve dhe në këtë rast të grave, se kur është momenti që ato të bëjnë zgjedhjen e tyre për sa i takon krijimit të familjes dhe lindshmërisë.
“Alarmi që dominon diskutimet publike mbi normat e lindshmërisë paraqet rreziqe reale, kërcënon të na shpërqendrojë nga gjetja e zgjidhjeve konstruktive për problemet serioze, por të zgjidhshme. Dhe rrezikon të bëhet një arsyetim për mohimin e të drejtave dhe autonomisë së trupit të grave dhe vajzave”, tha Florence Bauer, Drejtore e Zyrës Rajonale të UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.
Të gjitha pikëpyetjet që ngrihen në raport me rritjen e popullsisë nuk i referohen më shifrave dhe parashikimit në raport me të ardhmen, por “ankthi” i ekspertëve përjetohet në faktin e lirisë fizike dhe lirisë për të zgjedhur.
Edhe në rastin e Shqipërisë, UNFPA Albania rekomandon qeverinë të krijojë sa më shumë politika duke pasur parasysh barazinë dhe të drejtat gjinore. Hapa të tillë në këtë drejtim nga shteti shqiptar janë marrë duke mbështetur financiarisht nënat kryefamiljare dhe nënat me shumë fëmijë. Po ashtu edhe duke fuqizuar ligjet për të rritur dënimin ndaj fajtorëve dhunues të grave. Po në këtë qasje ka dhe programe të ndryshme si lejet prindërore kur përveç nënës e përfiton edhe babai.
Panorama e të drejtave të grave, riprodhimit e fertilitetit gjendet në faktet dhe shifrat në raportin “Gjendja e popullsisë së botës 2023”.
24% e grave dha vajzave ende nuk janë në gjendje ti thonë jo seksit dhe 11 % e tyre nuk janë në gjendje të marrin vendime në mënyrë specifike për kontracepsionin, sipas të dhënave nga 68 vende raportuese.
Fakt është se demografia globale po ndryshon me shpejtësi, 2/3 e njerëzve jetojnë në vendet ku ka fertilitet të ulët, ndërsa 8 vende do të përbëjnë gjysmën e rritjes së parashikuar të popullsisë globale deri në vitin 2050 siç janë Republika Demokratike e Kongos, Egjipti, Etiopia, India, Nigeria, Pakistani, Filipinet dhe Republika e Bashkuar e Tanzanisë, duke riorganizuar në mënyrë dramatike renditjen botërore të vendeve më të populluara.