Kursi i këmbimit të euros me lekun po thyen rekorde në rënie, ditë pas dite. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të enjten me 112.04 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Kursi i këmbimit të euros ka rënë me 1.9% që nga fillimi i vitit dhe me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas agjentëve të tregut të këmbimit valutor, tregu vazhdon të shfaqë prurje të mëdha dhe kërkesë të pakët për monedhën europiane. Kjo tendencë është përvijuar qysh gjatë vitit të kaluar, ndërsa në javët e fundit po theksohet edhe më shumë. Ndërkohë që kemi hyrë në tremujorin e dytë të vitit, turizmi hyrës vlerësohet të jetë në rritje, duke sjellë rritje të hyrjeve të valutës. Një efekt të vogël afatshkurtër mund të kenë pasur edhe festat fetare të muajit prill, që shoqërohen me kthimin e emigrantëve në Shqipëri, por edhe me flukse të shtuara të turistëve të huaj. Në në horizont më afatgjatë, ecuria e kursit të këmbimit duket se po ndikohet nga lëvizje të ndjeshme të balancave makroekonomike në favor të forcimit të lekut. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deficiti i llogarisë korrente për vitin e kaluar zbriti në 1.08 miliardë euro, në rënie me 7.5% krahasuar me vitin 2021. Rënia e deficitit të llogarisë korrente ka ardhur kryesisht falë shtimit të të ardhurave nga turizmi, nga eksporti i shërbimeve dhe nga rritja e dërgesave të emigrantëve.

Në terma realë, Banka e Shqipërisë nëvizon se se deficiti i llogarisë korente të Shqipërisë është reduktuar nga niveli 10.8% i PBB-së në vitin 2014 në nivelin 5.9% të PBB-së për vitin 2022. Një ndikim të rëndësishëm në flukset valutore hyrëse ka pasur edhe ecuria e llogarisë financiare, veçanërisht në zërin e investimeve të huaja direkte. Investimet e huaja direkte shënuan një rekord të ri historik për vitin 2022. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë ato arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më parë. Një faktor tjetër që ka ndikuar në rritjen e ofertës së euros në tregun valutor shqiptar vlerësohet të ketë qenë edhe struktura e financimit të deficitit buxhetor.

Pjesa më e madhe e deficitit të krijuar për vitin 2022 u financua nga përdorimi i tepricave të likuiditetit në valutë të trashëguara nga një vit më pare, nga emetimi i eurobondit të nëntorit 2022.
Duke qenë se shpenzimet buxhetore kryhen përgjithësisht në lekë, kjo nënkupton se qeveria ka shitur sasi të konsiderueshme të euros në tregun e brendshëm. Një ndikim teorik në favor të focimit të lekut kundrejt euros mund të kenë dhënë edhe politikat monetare dhe fiskale të ndjekura nga autoritetetet shqiptare. Banka e Shqipërisë në harkun e një viti e ka rritur normën bazë të interesit në 3%, nga 0.5% që ishte një vit më parë. Rritja e normave të interesit për lekun e bën këtë monedhë më atraktive për investitorët, por njëkohësisht frenon ofertën e monedhës vendase. Rritja vjetore e agregatit monetar M2 në muajt e parë të këtij viti ndodhet në nivelet më të ulëta që prej vitit 2018.

Ndërkohë, oferta e lekut mund të jetë ndikuar edhe nga politika konsoliduese fiskale. Deficiti buxhetor për vitin 2022 u vlerësua në rreth 3.6% të PBB-së, nga 4.5% që kishte qenë një vit më parë.
Forcimi i lekut në kursin e këmbimit me euron është një faktor me ndikim të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Leku i fortë i bën më të lira importet e mallrave dhe të shërbimeve nga jashtë. Forcimi i monedhës vendase ka qenë një faktor që i ka zbutur pjesërisht presionet e jashtme inflacioniste dhe ka ndikuar, mes faktorëve të tjerë, që Shqipëria të ketë nivele inflacioni më të ulët krahasuar me ekonomitë e tjera të rajonit dhe Europës. Efekti i mbiçmimit të lekut ndaj euros ka qenë pozitiv edhe për të huamarrësit në valutë të huaj me të ardhura në lekë, duke filluar nga qeveria shqiptare, deri te huamarrësit private. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, forcimi i kursit të këmbimit të lekut në vitin 2022 ka sjellë reduktimin me rreth 37 miliardë lekë të vlerës së borxhit publik në vitin 2022. Sipas Ministrisë së Financave, në fund të 2022 stoku i borxhit në valutë të huaj ra në rreth 646 miliardë lekë, 5.1% më ka krahasuar me një vit më parë.

Zhvlerësimi i euros ka zbutur barrën e rritjes së normave të interesit për huamarrësit që kanë kredi me norma të ndryshueshme interesi në euro. Por, forcimi i lekut po jep një ndikim gjithnjë e më negativ për sektorët eksportues të ekonomisë, që i kanë të ardhurat përgjithësisht në lekë, ndërsa shpenzimet në monedhën vendase. Në veçanti, sektorët e fasonerisë do të përballen me një trysni në rritje mbi marzhet e trye të fitimit, për shkak të efektit parallel të zhvlerëismit të euros, rritjes së pagës minimale ligjore, por edhe një presioni organik të lartë për rritje pagash nga tregu i punës. Një monedhë vendase e mbiçmuar është një faktor që dëmton konkurrueshmërinë e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Këtu përfshihen edhe një numër në rritje profesionistësh të punësuar në distancë jashtë vendit dhe që përgjithësisht paguhen në valutë të huaj.

Forcimi i lekut ndikon negativisht edhe vlerën e kursimeve në monedhë të huaj, që tashmë përbëjnë dukshëm shumicën në strukturën e depozitave bankare. Duke pasur parasysh shkallën e lartë të euroizimit të sektorit bankar, nënçmimi i monedhës europiane ndaj lekut do të ndikojë në ngadalësimin e mëtejshëm të rritjes së aktiveve, për efekt të kursit të këmbimit.