Reforma e pagave dhe rritja e tyre ishte sërish në fokus të mbledhjes së fundit të qeverisë, ku ishte vetë kryeministri Edi Rama ai që prezantoi diskutimet dhe vendimet e arritura në funksion të saj.
Duke thënë se synon të bëjë më të mirën dhe maksimumin për shqiptarët, kreu i qeverisë prezantoi rritjen e pagave në disa sektorë, duke theksuar dhe hapat që do të ndiqen.
“Nuk dua të humbas vëmendjen në shifra, jam këtu me ministren e Financave dhe dua ta falënderoj për punën. Kemi pasur diskutime dhe kemi konsultuar shifra, por në fund kemi rënë dakord që t’u japim shqiptarëve maksimumin. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa t’u them specialistëve më të ulët se paga e tyre do të shkojë 81 mijë lekë. Apo t’u them mësuesve në arsimin e mesëm që do të shkojë mbi 100 mijë lekë apo në arsimin e ulët që do të shkojë deri në 90 mijë. Këto janë shifra bazë dhe më pas vitet e eksperiencës dhe kualifikimet do të kenë ndikimet e tyre. Një rritje do të ketë për pedagogët me 20%, me një diskrecion që mund të shkojë deri në 30%. Kënaqësi t’u them infermierëve që do të marrin 87 mijë lekë si bazë. Janë rritur pagat për FA dhe do të vijojmë t’i rrisim. Janë rritur pagat për zjarrfikësit, të cilat do t’i çojmë deri në 80 mijë lekë. Kjo do të bëhet në dy hapa. Një hap do të bëhet tani me mësuesit, mjekët dhe infermierët dhe hapi tjetër do të jetë vitin e ardhshëm, kur do të bëjmë plotësimin e reformave të pagave dhe do arrijmë në 900 euro pagë mesatare”, tha mes të tjerash Edi Rama.