Bashkia e Durrësit ka bërë shumë në mbështetje të grave dhe vajzave. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, në takimin e zhvilluar për barazinë gjinore me temë “Shoqëria fillon me të drejtat e Gruas”.
Në këtë takim organizuar nga Women Alb World merrnin pjesë presidentja e kësaj organizate Mirela Mezani, koordinatorja e përhershme e OKB-së në vendin tone, Fiona Mccluney, zv/ministrja e jashtme Artemisa Malo, aktorja e madhe shqiptare Margarita Xhepa, gazetarja angleze Alice Taylor, aktivistë dhe perfaqësues të institucioneve dhe organizatave që kanë në fokus mbrotjen e grave dhe vajzave. Kryebashkiakja Sako në fjalën e saj tha gjithashtu se gratë dhe vajzat kanë qenë një mbështetje shumë e madhe në rrugëtimin 3-vjecar të saj në krye të bashkisë Durrës.
“Kemi bërë një punë shumë të madhe për gratë dhe vajzat. Janë hapur disa qendra sociale të shërbimit social në zonat periferike të qytetit. Ne ofrojmë shërbim psikologjik dhe mbështetje ligjore falas për gratë dhe vajzat që kanë nevojë, por edhe në drejtim të punësimit”, tha Sako.
Duke folur për punën që ka bërë bashkia Durrës për fuqizimin e rolit të gruas, barazinë gjinore dhe ndihmën e kategorisë së grave me probleme sociale, kryebashkiakja Sako tha se vetëm 3 vitet e fundit kemi ngritur 3 qendra të reja sociale në zonat periferike të bashkisë ndërkohë që në 9 qendra që kemi në bashkinë tonë marrin shërbim afro 1900 individë si: këshillim social, psikologjik dhe mbrojtje ligjore falas. Po kështu Sako theksoi se Bashkia ka ndërmarrë nisma edhe në drejtim të punësimit të grave e vajzave. Kryebashkiakja shtoi se aktualisht në këshillin aktual bashkiak 54 përqind e këshilltarëve janë gra dhe vajza me profesione të ndryshme.
Në këtë takim ka folur edhe Fiona Mccluney, koordinatore e përhershme e OKB-së në vendin tonë. Ajo tha se kandidatët që marrin pjesë në zgjedhje duhet të jenë modele të përfaqësimit dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve të grave dhe vajzave.
“Përfaqësuesit lokal duhet të kenë parasysh problemet e grave, sidomos në drejtim të punësimit”, tha ajo.
Takimi është përshëndetur edhe nga aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa, e cila shprehu mesazhet e saj përmes një interpretimi emocionues.