“Bashkia e Durrësit i ka mbështetur gjithmonë të rinjtë dhe do të vazhdojë ti mbështesë ata. Në këtë kuadër kemi shumë plane dhe projekte konkrete që do ti zbatojmë në vijim”. Kështu ka deklaruar kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako në takim me nxënës dhe maturanë të shkollës së mesme “Leonik Tomeo”. Kryebashkiakja Sako gjatë bashkëbisedimit me nxënësit e kësaj shkolle ka renditur dhe shpjeguar me detaje se cfarë është bërë për nxënësit dhe të rinjtë e bashkisë Durrës dhe çfarë do të realizohet gjatë këtij viti. Në fokus të punës me të rinjtë bashkia e Durrësit ka ngritur Këshillin Rinor Vendor, i cili funksionon si një këshill ku të rinjtë përcjellin zërin e tyre në institucionin e bashkisë. Këshilli Vendor Rinor ka 13 anëtarë dhe përbëhet nga studentë, gjimnazistë dhe përfaqësues të organizatave rinore dhe këta të rinj ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Durrës dhe në njësitë administrative. Në zbatim të kësaj përgjegjësie, njësitë e vetëqeverisjes vendore përcaktojnë objektivat dhe prioritetet, në përputhje me nevojat e të rinjve në territorin që ato mbulojnë dhe garantojnë zbatimin e tyre.
Kryebashkiakja Sako ka deklaruar se prej shumë vitesh bashkia mbështet financiarisht me bursa nxënësit ekselentë, ndërkohë që jepen shpërblime financiare edhe për fituesit e olimpiadave kombëtare. Kjo gjë do të shtrihet në një fashë më të gjerë përfituesisht, duke bërë që shpërblimet të jepen edhe për nxënësit e arsimit 9-vjeçar deri në klasën e pestë.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe ai i ndërtimit të qendrës së re multifunksionale për rininë, e cila do të jetë në lagjen 17 të qytetit. Kjo qendër do të shërbejë për organizimin e veprimtarive për të mbështetur mirëqenien dhe zhvillimin e të rinjve, nxitjen e vullnetarizmit si edhe financimin e infrastrukturës rinore dhe hapësirave rinore të sigurta. Ndërtimi i kësaj qendre do të realizohet brenda vitit 2023 dhe është një bashkëfinancim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë. Kjo qendër i vjen në shërbim të gjithë komunitetit rinor të bashkisë Durrës me rreth 73.000 vajza dhe djem të grup moshës 15-29 vjeç.
Kryebashkiakja Sako foli edhe për projektin Durrës Youth Hub, i cili synon të krijojë një hapësirë të re multidisiplinare me qëllim zhvillimin dhe aftësimin e të rinjve në fushën e teknologjisë së informacionit, shkencës, letërsisë etj. Kjo qendër e re do të ofrojë kurse formimi për të gjithë të rinjtë e komunitetit lokal dhe jo vetëm, të cilët do të kenë mundësinë të shpalosin aftësitë e tyre në fushat përkatëse. Qendra “Durrës Youth Hub” do të ndërtohet në zonën e Shkozetit, duke i dhënë kësaj zone një pamje dhe një frymë të re.
Në funksion të krijimit të mjesiseve për rininë dhe nxënësit e shkollave vjen edhe projekti i parkut “Vala”, i cili po ndërtohet në lagjen 18 të qytetit. Me një sipërfaqe totale prej 8 mijë m2, ky shesh do të ketë fusha sportive volejbolli, tenisi, minifutbolli, basketboll, palestër e hapur, fitplay, pingpong etj. Projekti ka ideuar ndërtimin e një rampe që krijon edhe një dinamikë duke lëvizur në lartësi, ndërsa janë projektuar edhe ambiente shplodhëse, gjelbërim, ndriçim, stola, korsi biçikletash, pistë vrapimi dhe rrugë kalimi. Parku “Vala” përfshin edhe rehabiltimin e 3 minishesheve midis pallateve që ndodhen pranë tij. Një nga këta minisheshe i është dedikuar të rinjve dhe aty do të ketë fushë futbolli, palestër e hapur dhe stola për pushim. Një tjetër i dedikohet fëmijëve që kanë nevojë për kujdes të prindërve duke përfshirë kryesisht kënde lojrash, ndërsa minisheshi i tretë ka gjelbërim të dendur dhe zona pushimi kryesosht për moshën e tretë.
Kryetarja e bashkisë Emiriana Sako ka folur edhe për pallatit e sportit “Ramazan Njala”, i cili do të rikonstruktohet gjatë këtij viti duke krijuar kushte moderne për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe stërvitjen e ekipeve të moshave dhe jo vetëm. Edhe për studentët ka projekte konkrete, sic është mbështetja financiare duke i pajisur ata me “Kartën e studentit”, ku këtë vit do të jepën karta për 2500 studentë në total.
Home Lajme Aktualitet Sako në takimin me të rinjtë e shkollës “Leonik Tomeo”: Infrastrukturë moderne...