Në të dhënat për strukturat akomoduese, INSTAT tregon se numri i vizitorëve gjithsej u rrit me 21.7%.
Përveç rritjes së vizitorëve, edhe numri i netë-qëndrimeve në struktura akomoduese u rrit me 6.2%, ndikuar kryesisht nga shtetasit e huaj. INSTAT tregon se më shumë vizitorët kanë preferuar të shkojnë në rajonin e veriut, duke preferuar turizmin malor që ofron Shqipëria.
Në krahasim me vitin e kaluar është rritur me 98% numri i vizitorëve që qëndrojnë në këtë rajon. Por, nuk kanë munguar as preferencat për të pushuar në bregdet me rritje të konsiderueshme prej 74%. Sërish peshën kryesore të turizmit në vend vijon ta mbajë rajoni i qendrës me kryeqytetin, ndërsa peshë të madhe kanë edhe qytete të tjera jobregdetare si Berati dhe Gjirokastra.
Sa i përket netë-qëndrimeve, rritjen më të madhe të rezervimeve e ka pasur rajoni qendror i vendit dhe zonat jo-bregdetare, ndërsa statistikat tregojnë se janë 58 371 shtetas të huaj dhe rreth 48 mijë rezidentë që kanë zgjedhur të qëndrojnë në hotele.
Por, rritje me 2.3 herë ka edhe rezervimi në struktura të ngjashme akomoduese, si shtëpitë private, ndërsa me ulje ka ardhur qëndrimi i turistëve në rulota. Peshën më të madhe të vizitorëve që kanë ardhur në vendin tonë dhe kanë zgjedhur të qëndrojnë në hotele janë nga Kosova, Italia, Gjermania, Anglia dhe SHBA.