Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka zhvilluar një takim mbi platformën online ku partitë politike dhe kandidatët do të raportojnë të ardhurat dhe shpenzimet e tyre financiare, bisedë që u zhvillua teksa fushata zgjedhore për 14 majin ka nisur. Celibashi tha se kjo platformë online do të jetë një mundësi më e mirë për KQZ që të kontrollojë financimin e partive politike, por gjithsesi ai thotë se nuk është një proces shumë i thjeshtë.
“KQZ do të ketë një mundësi më të mirë për të bërë verifikime më të thelluara në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor mbi paratë e shpenzuara nga partitë politike dhe subjektet zgjedhore. Ky sistem është një mundësi shumë e mirë, e kam fjalën për shoqërinë civile, media por edhe të tjerë për të marrë informacion dhe nxjerrë konkulzione për të bërë vlerësime se çfarë përmbajnë të dhënat e grumbulluara përmes këtij sistemi. Ne jemi vetëm në fillim të përdorimit të këtij sistemi dhe askush prej të gjithë përdoruesve nuk është familjarizuar plotësisht me këtë sistem, por ë paktën qoftë edhe formalisht nga pikëpamja e asaj që kishim objektiv e kemi realizuar qëllimin dhe synimi i partnerëve europianë ishte që ta kishim këtë projekt gati për këto zgjedhje dhe raportimi mbi financat e kësaj fushate të bëhet përmes kësaj platforme. Nuk është një proces shumë i thjeshtë”, tha Celibashi.
Në fjalën e tij për mediat, Celibashi tha se do të jetë shumë e vështirë që partitë politike të bëjnë transparente të gjitha financimet, sidomos tanë në periudhën e zgjedhjeve. Celibashi tha se ka hapësirë për të bërë më shumë në mënyrë që partitë politike që të tregohen të vetëpërmbajtura dhe të mos tregojnë në mënyrë arrogante fuqinë e tyre dhe interesin e tyre për të shpenzuar para pa limit në fushatën zgjedhore.
“Gatishmërinë dhe seriozitetin e KQZ për ta qasur këtë çështje në përputhje të plotë me të gjitha parashikimet e kodit zgjedhor për të mos patur droje për të sjellë në vëmendje raste kur parti politike apo subjekte të ndryshëm kanë problematika në lidhje me financimin. Nuk besoj se do jetë kaq e thjeshtë dhe do ketë kaq transparencë dhe mundësi për të bërë publike çdo abuzim, por mendoj se do jetë diçka ndryshe nga herët e tjera. Tej gjithë retorikës së ngarkuar politike që shoqëron fushatën zgjedhore, duket se ka një lloj kujdesi të paktën formalisht për tu përpjekur për ti respektuar këto rregulla. Mund të bëjmë më shumë për t’i bërë të përmbajtura partitë politike që të mos demonstrojnë në mënyrë arrogante fuqinë e tyre dhe interesin e tyre për të shpenzuar para pa limit në fushatën zgjedhore”, tha Celibashi.
Ky koment i Celibashit për të mos shpenzuar para pa limit për fushatën zgjedhore, vjen vetëm pak ditë pas koalicioni Meta-Berisha hapi fushatën zgjedhore në ‘Air Albania’. Për herë të parë, një grupim politik, me në krye Sali Berishën, që pretendon se përfaqëson me numra opozitën, është jashtë çdo kontrolli të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për shpenzimet elektorale. Sali Berisha nuk ka asnjë detyrim për deklarimin e shpenzimeve, burimit dhe pranimin e adituesve, pasi nuk njihet si subjekt politik.